BASKET MESHKUJ/ Fitorja ndaj kampionëve në fuqi, Bilali: “Play off”-i me tension e presion, Besëlidhja është gati

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2023 | 16:47

BASKET MESHKUJ/ Fitorja ndaj kampionëve në fuqi, Bilali: “Play off”-i me tension e presion, Besëlidhja është gati

Besëlidhja siguroi një fitore me shumë vlera në Superligën e basketbollit të meshkujve, duke mposhtur Teutën, kampionen në fuqi, për t’i marrë durrsakëve edhe kreun e renditjes në kampionat. Një parakalim në kthesën e parafundit para “play off”-it nga ana e lezhjanëve, të cilët hipotekojnë vendin e parë falë diferencës më të mirë të koshave në përballjet direkte.

bilali 2

Pas triumfit në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”, trajneri Afrim Bilali ka komentuar në një prononcim për “Panorama Sport”, paraqitjen e Besëlidhjes dhe rëndësinë e suksesit kundër Teutës. “Është një fitore shumë e rëndësishme për ekipin tonë. Një fitore që e vendos Besëlidhjen në krye të renditjes dhe shërben për fazën e ‘play off’-it. Pavarësisht se ka edhe një javë për t’u luajtur, tashmë mund të themi se matematikisht jemi në vendin e parë”, deklaron fillimisht Bilali.

POLEMIKAT – Kryendeshja mes Teutës dhe Besëlidhjes, siç dihet erdhi pas shumë polemikave, me durrsakët që kërkuan shtyrjen e saj për në datën 3 prill për shkak të bllokimit të pallatit të sportit, kërkesë kjo që nuk u pranua nga lezhjanët, ndërsa vetëm disa orë nga fillimi i takimit federata vendosi për ta spostuar për të dielën, duke sjellë gjithashtu protesta të forta nga Besëlidhja.

Gjithsesi trajneri thekson se skuadra e tij nuk u përfshi në këto polemika, duke u fokusuar vetëm te parketi: “Edhe pse ishte një ndeshje që u zhvillua pas shumë polemikash, por pavarësisht kësaj, nga ana jonë nuk është ulur asnjëherë vëmendja dhe përqendrimi për këtë përballje, për rëndësinë si dhe vlerësimin ndaj skuadrës së Teutës. Pasi kishim përballë një ekip dinjitoz, por që morëm masat për të gjitha gjërat që bën kundërshtari si në fazën mbrojtëse gjithashtu edhe në sulm. Kjo u pa më së miri në lojën e zhvilluar”, deklaron Bilali, i cili më tej flet me më shumë detaje për takimin:

“Ndeshjen e filluam shumë mirë me agresivet në mbrojtje dhe me shpërndarje të mirë të topave në sulm. Kështu që arritëm që ta kontrollojmë edhe rezultatin që nga sekonda e parë e deri te e fundit, duke mos e vënë në diskutim asnjëherë fitoren. Realisht për këtë dua të falënderoj shumë djemtë e skuadrës, të cilët dhanë maksimumin në këtë takim”.

“PLAY OFF”-i – Ndonëse ka mbetur edhe një javë për tu zhvilluar, tashmë janë përcaktuar edhe çiftet e “play off”-it, me Besëlidhjen që do të përballet në gjysmëfinale me Kamzën, ndërsa Teuta do të masë forcat me Tiranën. Trajneri Bilali e komenton kështu fazën e nxehtë të kampionatit: “Takimi kundër Teutës ishte një panoramë e ‘play off’-it, duke qenë se ndeshjet e ‘play off’-it do të jenë me intensitet të lartë. Do të ketë garë dhe luftë të fortë për fitore. Besoj shumë që ‘play off’-i do të dhurojë spektakël dhe sfida të bukura. Gjithashtu besoj fort dhe shpresoj shumë që djemtë e Besëlidhjes të kenë të njëjtën paraqitje siç kishin në ndeshjen e fundit kundër Teutës dhe të shpallemi kampionë.

Mendoj që loja e skuadrës nga ndeshja në ndeshje ka ardhur duke u rritur. Ekipi sa vjen dhe konsolidohet, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Pa dyshim që ‘play off’-i ka presion dhe tension, pasi i tillë është, duke qenë se gabimi kushton. Unë shpresoj shumë që në te jemi në më të mirën tonë gjatë fazës së ‘play off’-it si nga ana psikologjike, gjithashtu edhe fizikisht të jemi të përgatitur për t’u përballur me kundërshtarët”, përfundon Bilali.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"