BASKET FEMRA/ Partizani fantastik, fiton Superkupën përballë Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2023 | 11:40

BASKET FEMRA/ Partizani fantastik, fiton Superkupën përballë Flamurtarit

Partizani është fitues i Superkupës së Shqipërisë 2023 në basketboll për femra. Të kuqet e trajneres Eliverta Bujari mundën dje Flamurtarin me rezultatin 74- 77, pas një finaleje me shumë emocione në sallën “Feti Borova” në Tiranë.

WhatsApp Image 2023-12-01 at 11.19.39

Një takim “thriller”, me 40 minutat e kohës së rregullt të mbyllura 60-60, ndërsa as shtesa e parë nuk mjaftoi për të përcaktuar fituesin, fraksion që u mbyll 4-4. Gjithçka u zgjidh në 5- minutëshin e dytë, ku Partizani fitoi 10-13, duke bërë që të shpërthejë festa e kuqe në parket. Kjo ishte Superkupa e dytë në histori për Partizanit, pas suksesit të vitit 2021, teksa asokohe skuadra drejtohej nga Ledina Koçi.

NDESHJA Finalja e Superkupës starton me ritëm të ulët dhe shënjestër të dobët nga të dyja ekipet, ndërsa është Flamurtari që paraqitet më mirë në periodën e parë, të cilën e mbyll me fitoren 16- 10. Ndërsa në çerekun e dytë ka ekuilibër në shifrat 19-19, me ekipet që shkojnë në pushimin mes dy pjesëve me epërsinë e 6 pikëve, 35- 29, në favor të vlonjateve, të cilat drejtoheshin nga trajneri Agim Dalipaj. Ne fraksionin e dytë skuadra e Partizanit vjen gjithnjë duke ngritur lojën. Të kuqet shfaqen dominuese në periodën e tretë, duke fituar 9- 17, për të marrë kryesimin 44-46 pas 30 minutash lojë. Por kampionet e Shqipërisë nuk demoralizohen, ndërsa bëjnë të tyren periodën e katërt 16-14, ndërsa koha e rregullt mbyllet në barazim 60-60. Në 5-minutëshin e parë të dyja ekipet kanë rendiment shumë të ulët në sulm, me shtesën që mbyllet 4-4, ndërsa për të përcaktuar fituesin duhet edhe një tjetër shtesë. Në shtesën e dytë Partizani bën më mirë, për të fituar 10-13, ndërsa është amerikania Sophia Jacobssen, ajo që shënon 3-trepikëshin që bën diferencën duke vulosur shifrat 74-77. Më tej është radha për festën e merituar të vajzave të Partizanit, ndërsa sekretari i ri i FSHB-së, Franko Bushati, së bashku me presidentin e KOKSH-it, Fidel Ylli, i dorëzojnë trofeun kapitenes Ornela Lalaj.

DJHF

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"