BASKET FEMRA/ Memushi: Partizani në mori Ligën Unike në Vlorë, ia kthyem pa mëshirë me kampionatin në Tiranë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2023 | 10:50

BASKET FEMRA/ Memushi: Partizani në mori Ligën Unike në Vlorë, ia kthyem pa mëshirë me kampionatin në Tiranë

Tea Memushi e cilëson titullin kampion suksesin më të madh sezonal të Flamurtarit në basketbollin e femrave. Në një intervistë për “Panorama Sport”, kapitenia e vlonjateve konsideron grupin si çelësin e triumfit.

337398722_243153008136031_5507464396062575740_n

Memushi, si ndiheni për titullin e radhës kampion?

Ky është suksesi më i madh që kemi arritur në këtë sezon. Titulli kampion shijon më shumë sesa çdo trofe tjetër, sepse kurorëzon një punë, e cila nis që në fillim të kampionatit dhe deri në fund të tij. Kampionati nisi me një rivalitet tjetër, ndërsa në fund ne përballë kishim ekipe të forta dhe për këtë arsye na shijon jashtëzakonisht shumë. Nëse në fillim dhe hidhnim hapa të sigurt, duke fituar edhe trofetë e tjerë me radhë, në fund të garës kishim kundërshtarë të fortë, por gjithsesi arritëm ta përfundonim mbarë.

E keni pasur frikë Partizanin?

Nuk mund të them se e kemi pasur frikë Partizanin apo edhe ndonjë ekip tjetër. Por Partizani ishte një ekip për t’u vlerësuar dhe nuk ishte kot në finale, ashtu sikurse në finalen e Ligës Unike. Kështu që nuk mund ta quaj frikë, por vlerësim maksimal.

Cili është çelësi i këtij suksesi?

Suksesin ne e kemi përsëritur edhe në vitet e tjera. Ky është një grup shumë i mirë vajzash që zbatojnë me përpikëri detyrat që përcakton trajnerja, duke krijuar një harmoni të plotë mes ideve, filozofisë së lojës së trajneres me vajzat dhe me një bashkëpunim perfekt me njëra-tjetrën për të nxjerrë atë rezultat që ne dëshironim. Çdo fitore është shumë e rëndësishme për ne në çdo aktivitet që kemi marrë pjesë.

Mposhtja e Partizanit ishte edhe një hakmarrje për Ligën Unike?

Nuk mund ta quaj hakmarrje. Partizani bëri një paraqitje të mirë në Ligën Unike dhe arriti që ta merrte trofeun, megjithatë aty ishim edhe ne në finale, shumë pranë. Nëse ndeshja do të kishte shkuar ndryshe, mund të kishim edhe atë trofe në shtëpi. Ne morëm atë që merituam dhe i treguam Partizanit se pavarësisht se na mposhti në Vlorë dhe na mori trofeun e Ligës Unike, ne nuk kishim mëshirë që atje në Tiranë të shkonim edhe ne, të dilnim kampionë, duke realizuar edhe objektivin tonë kryesor.

Mendoni se duhet të ruhet grupi i lojtareve?

Grupi është shumë i mirë dhe në dijeninë time pjesa më e madhe e grupit do të jetë po e njëjta. Megjithatë, këto janë vendimmarrje të klubit. Kemi një klimë shumë të mirë me njëra-tjetrën. Vajzat janë të mira, jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj. Patjetër që gjithë këta komponentë reflektohen në lojë, duke qenë një pikë e fortë në ekipin tonë.

Kujt ia dedikoni këtë trofe?

Unë kam një dedikim këtë herë, jo se nuk ia kemi dedikuar edhe vitet e mëparshme tifozërisë, por këtë herë ne kemi një tifozëri fantastike, pallati është mbushur në Ligën Unike në ndeshjet e rivalizuara, kemi pasur një tifozëri në finalet e kampionatit, një atmosferë shumë e bukur dhe në Tiranë ku fituam. Ky është dedikimi, sepse janë edhe ata që na kanë ndihmuar. Një dedikim të veçantë e kam në fakt, pasi këtë vit, në këtë kampionat, nuk e kam pasur mundësinë që të kem një person pranë që të festonte me mua. Ia dedikoj këtë trofe të këtij sezoni këtij personi dhe vitin tjetër ta kem aty pranë për të festuar bashkë.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"