BASKET FEMRA/ Kupa e FSHB-së, trofeu i parë shkon për Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2023 | 16:21

BASKET FEMRA/ Kupa e FSHB-së, trofeu i parë shkon për Flamurtarin

Trofeu i parë i sezonit 2023-2024 në basketbollin e femrave ka shkuar në Vlorë. Flamurtari mundi dje Partizanin në finalen e Kupës së FSHB-së me rezultatin 72-70, pas një ndeshjeje me shumë rivalitet në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”. Siç edhe pritej, përballja mes vlonjateve dhe të kuqeve rezultoi mjaft e bukur, me përmbysje dhe ripërmbysje, ndërsa vendimtare në suksesin e bregdetareve rezultoi perioda e katërt.

basketboll flamurtari femra

NDESHJA – Memushi, Myrto, Vasquez, Kirberg dhe Henderson ishte pesëshja me të cilën e startoi lojën trajnerja e Flamurtarit, Elona Hasanaj. Ndërsa në krahun tjetër formacioni titullar i zgjedhur nga Eliverta Bujari përbëhej nga Lalaj, Fekollari, Jaçe, Omerbasiç dhe Keseljeviç. Koshi i parë i finales mban firmën e Kirbergut për Flamurtarin, e cila realizoi për 2 pikë.

Minutat e para ishin me rivalitet, ndërsa në gjysmën e dytë të periodës vlonjatet bënë më mirë, për ta fituar 10-minutëshin në shifrat 20-13. Flamurtari mbetet përpara edhe në periodën e dytë, periodë që fitohet minimalisht 15-16 nga Partizani, por në shifra të përgjithshme pas 20 minutash janë bregdetaret që udhëheqin 35-29. Me rikthimin në parket Partizani ndryshon tërësisht pamje. Kryeqytetaset e korrigjojnë shënjestrën, ndërsa e riparojnë ndjeshëm edhe fazën mbrojtëse.

sadsadsasasdasaddsa

Kështu, Partizani e fiton periodën 10-23, për të kryesuar 45-52 pas 30 minutash. Në fillim të periodës së katërt Imela Mala e çon në +9 pikë epërsinë e të kuqeve, por më tej loja e kryeqytetaseve fiket. Në anën tjetër Flamurtari luan me ritëm dhe ka efikasitet në sulm. Kështu, vlonjatet bëjnë një periodë fantastike, të cilën e fitojnë 28-18, duke realizuar edhe përmbysjen.

Në aksionin e fundit Partizani kishte mundësinë ta çonte takimin në shtesë, por të kuqet gabuan 3 goditje radhazi, ndërsa gjithçka u mbyll me festën e merituar të vlonjateve. Lojtarja më e mirë e finales ishte Trinity Vasquez, autore e 20 pikëve për Flamurtarin. Në fund ishte radha e ceremonisë, me presidentin e FSHB-së, Avni Ponari, që i dorëzoi trofeun kapitenes vlonjate, Tea Memushi.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"