BASKET/ 14 fitore radhazi nga Besëlidhja, Partizani feston në Kamzë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2024 | 12:24

BASKET/ 14 fitore radhazi nga Besëlidhja, Partizani feston në Kamzë

Katërmbëdhjetë ndeshje, 14 fitore, 28 pikë, 1473 pikë të realizuara dhe vetëm 953 të pësuara, me sulmin dhe mbrojtjen më të mirë të kampionatit, është kjo ecuria perfekte e Besëlidhjes në kategorinë e parë të basketbollit për meshkuj.

beselidhja basket

Lezhjanët e Afrim Bilalit regjistruan dje suksesin e radhës, sërish me tri shifra, duke mposhtur Fierin me rezultatin 109-51 në takimin e vlefshëm për javën e 16-të. Ndeshja e zhvilluar në pallatin e sportit “Asllan Rusi” foli tërësisht për Besëlidhjen.

Ekipi verior shpërtheu që në periodën e parë, duke fituar thellë 36-10, për ta thelluar epërsinë në +34 pikë pas 20 minutash, teksa e fituan çerekun e dytë 22-12.

Ndonëse me triumfin në kasafortë lezhjanët mbajtën ritëm të lartë edhe në gjysmën e dytë të ndeshjes, duke i marrë edhe dy periodat e radhës në shifrat 28-15 dhe 23- 12.

Nga tjetër Fieri e kishte të vështirë t’i përgjigjej të njëjtin nivel, ndërsa humbja ndaj kryesuesve për ta mund të konsiderohej në “preventiv”. Plot gjashtë lojtarë të Besëlidhjes realizuan mbi 10 pikë në këtë takim, ndërsa efikasitetin më të lartë e shënoi Julian Hamati me 14 pikë, 12 kërcime dhe 5 asistime.

Për Fierin spikati i zakonshmi Brando Anyanëu, autor i 23 pikëve, 9 kërcimeve dhe 1 asistimi, por që mbeten vetëm për vlerë statistikore, me fierakët që janë të stacionuar në vendin e parafundit.

1

KAMZA-PARTIZANI – Në palestrën “Halit Coka” të Bathores u zhvillua një tjetër sfidë për javën e 16-të të kampionatit, me Kamzën vendëse që priste Partizanin. Një takim i luftuar deri në sirenën finale, ndërsa fund ata që festuan ishin të kuqtë, të cilët triumfuan me rezultatin e ngushtë 82-84.

Kjo ishte fitorja i pestë sezonale për skuadrën e Erdal Borovës, sukses që erdhi në një fushë të vështirë, ndaj një ekipi pretendent si Kamza. Për sa i përket takimit, Partizani e nisi me shumë vrull, duke fituar bindshëm periodën e parë në shifrat 18-27.

Perioda e dytë ishte më e ekuilibruar, fraksion që u mbyll minimalisht në favor të Kamëz në shifrat 22-21, ndarë rezultati i përgjithshëm i pjesës së parë shënonte 39-47 për 33 herë kampionët e Shqipërisë.

Me rikthimin në parket skuadra e Eni Llazanit ndryshon marsh, duke e fituar periodën e tretë 24-16, ndërsa rezultati pas 30 minutash është në ekuilibër të plotë 63- 63. Çereku i fundit luhet me rivalitet të lartë, ndërsa gjithçka do të zgjidhet në favor të Partizanit nga një kosh për 2 pikë i Gridi Pashos, 8 sekonda nga fundi.

Një sukses që i mban gjallë shpresat e Partizanit për një vend në “play off” dhe në elitë për sezonin e ardhshëm, ndonëse ky duket një mision shumë i vështirë për t’u realizuar.

Pesë lojtarë të Partizanit shkuan në dopioshifër pikësh, ndërsa rendimentin më të lartë e kishte Gridi Pasho me 17 pikë, 5 kërcime dhe 2 asistime. Shënuesi më i mirë i ndeshjes ishte Neema Namdar, por 20 pikët e tij nuk i shërbyen Kamzës për të shmangur humbjen.

2

Java e 16-të do të vijojë sot me ndeshjet Tirana-Skënderbeu në orën 15:00 në “Farie Hoti” dhe Teuta-Elbasani në orën 18:00 në Durrës, për tu mbyllur të dielën në orën 18:00 me sfidën Apolonia-Flamurtari.

3

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"