Bardheblutë triumfojnë në derbin e çmendur me Partizanin/ Vllaznia-Tirana, finalja e U-19

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2021 | 21:44

Bardheblutë triumfojnë në derbin e çmendur me Partizanin/ Vllaznia-Tirana, finalja e U-19

Vllaznia-Tirana për U-19 dhe Akademia e Futbollit-Shënkolli për U-17 do të jenë dy finalet e Kupës së Shqipërisë pas ndeshjeve të zhvilluara dje në kompleksin e Pezës.

Vllaznia U-19

Partizani-Tirana, derbi i shumëpritur i të rinjve për gjysmëfinalen, ka dhuruar emocione të mëdha. Bardheblutë ia kanë dalë të kualifikohen pas goditjeve nga pika e bardhë e penalltisë.

Heroi i Tiranës së drejtuar nga Gentjan Stojku ka qenë portieri Leon Kozi. Ishte një 90-minutësh shumë i luftuar, me të kuqtë që shënuan në pjesën e parë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Tirana rrezikoi me Andri Stafën, ndërsa në fraksionin e dytë Partizani është më kërkues, duke krijuar raste me Shibën, Koldashin, Çarçanin e Buxhelaj, por që i kanë dhënë mundësinë portierit Kozi të tregojë aftësitë e tij të mrekullueshme.

u-19

Edhe bardheblutë me Gjumsin e Stafën iu afruan golit. Megjithatë, ndeshja u mbyll 0-0 dhe menjëherë u kalua te 11- metërshat. Portieri Kozi bëhet hero duke pritur dy penallti, ndërsa Tirana gaboi vetëm një herë me Avdiun. Në ndeshjen tjetër për U-19, Vllaznia shkatërroi Shënkollin me shifrat 4-0. Ardit Nikaj dhe Arsen Elbasani shënuan secili nga dy gola. Që në 18 minutat e para shkodranët vendosën diktatin. Kjo ndeshje ka pasur edhe mjaft ndëshkime me kartona për ndërhyrje të gabuara. Tre lojtarë morën nga dy herë të verdhë dhe dolën me të kuq.

kupa moshat

PARATËRINJTË

Akademia e Futbollit, e drejtuar nga Sokol Bulku, ishte finalistja e parë e paratërinjve, pasi eliminoi Pepën me një gol të Arseld Halilajt. Për Akademinë ky është një sukses i madh, pasi për herë të parë kualifikohet në një finale për U17.

Pepa Vora

Përballë do të ketë kampionët në fuqi të Shënkollit, të cilët dje ia dolën të eliminonin Vorën përmes penalltive. Ka qenë një ndeshje e ndezur, madje me prani të madhe tifozësh. Pas 90- minutave pa gola, skuadrat iu drejtuan 11-metërshave, aty ku lojtarët e Shënkollit u treguan shumë të saktë.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"