Barazimi i ka bërë me krahë tek Iskra, ish-sulmuesi i Teutës “presion” Laçit: Mund të kualifikohemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2022 | 17:07

Barazimi i ka bërë me krahë tek Iskra, ish-sulmuesi i Teutës “presion” Laçit: Mund të kualifikohemi

Barazimi pa gola në ndeshjen e parë në “Elbasan Arena” ndaj Laçit e ka shtuar optimizmin te malazezët e Iskrës, të cilët besojnë te kalimi në raundin e dytë të Ligës së Konferencës.

laci iskra

Përshtypja e përgjithshme te fqinjët është se bardhekuqtë e kanë përfaqësuar denjësisht Malin e Zi në skenën ndërkombëtare dhe do të bëjnë të pamundurën për të kaluar në turin tjetër. I vetmi kusht është që rezultati i marrë në Elbasan nga Iskra të mos merret si vendimtar dhe të mos mashtrohen nga euforia aktuale, por çfarë konsiderohet pozitive të merret si një motiv më i madh në ndeshjen e kthimit në “DG Arena”, ku presin edhe mbështetjen e madhe të tifozëve.

DARKO NIKAÇ- Sulmuesi i Iskras, Darko Nikaç, e njeh mirë Laçin, pasi në të shkuarën e ka pasur kundërshtar në Superiore, kur luante me fanellën e Teutës. Falë njohurisë dhe eksperiencës, 31-vjeçari është i bindur se Iskra është plotësisht e gatshme, fizikisht dhe mendërisht, për kualifikimin ndaj kurbinasve.

nikac teuta

“Mendoj se në ndeshjen e parë, kemi bërë një pjesë të madhe të punës dhe gjithçka që na është kërkuar. Më e rëndësishmja, nuk pësuam gol. Më vjen keq që humbëm disa mundësi për shënim, pasi mund të ishim kthyer më të lirshëm në shtëpi me avantazhin që të jep goli”, tha Nikaç, i cili pati një shans që në fillim të ndeshjes për të shënuar.

Megjithatë, ai shpreson që paraqitja e tij do të jetë shumë më e mirë në ndeshjen e dytë që luhet në Podgoricë.

“Kemi kohë të analizojmë me detaje sfidën e parë, të regjistrojmë pikat e forta dhe të dobëta të tyre, të eliminojmë gabimet tona dhe të shkojmë në ndeshje me optimizëm të plotë dhe shpresë se mund t’i tejkalojmë mundësitë aktuale. Jemi afër qëllimit dhe nuk mendoj se do të dorëzohemi në momentin më të rëndësishëm. Më vjen mirë që edhe në transfertë patëm mbështetjen e tifozëve tanë. Ata e meritojnë t’i shpërblejnë në mënyrën e duhur dhe të festojnë së bashku kalimin në turin e dytë”, u shpreh për mediat malazeze ish-sulmuesi i Teutës, që këtë verë u bë pjesë e Iskras.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"