Banon nuk e tremb sfida e re në Kategrinë e Parë: E shpëtoj Besëlidhjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2023 | 19:02

Banon nuk e tremb sfida e re në Kategrinë e Parë: E shpëtoj Besëlidhjen

Artan Bano vjen me mision te Besëlidhja: ta shpëtojë. Vendi i fundit e shqetëson, por nuk e dëshpëron aspak. Është mësuar me sfidat ndaj dhe nuk u step kur pranoi ofertën e drejtuesve. Ai ka një plan të qartë për t’iu larguar zonës së rënies dhe nuk ngurron që ta zbulojë. Është i vetëdijshëm për vështirësinë që e pret në këtë rrugëtim, e megjithatë mendon se do t’ia dalin më së miri nëse punohet fort dhe ka bashkëpunim.

bano

Në një deklaratë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri flet edhe për organikën dhe me bindje e thotë që kualitetet nuk mungojnë dhe kjo i jep vërtetë shpresë. “Pas akordit që arrita me drejtuesit, direkt zbrita në fushë. Sot (dje) është dita e dytë e punës dhe jam vërtetë i lumtur me ekipin dhe atë që dhanë në fushë. Të punosh në Lezhë, pastaj, është kënaqësi. Pranova direkt, pavarësisht vendit që mban ekipi në tabelën e klasifikimit. Nuk më stepi aspak, përkundrazi.

Besëlidhja ka kualitete, ndaj unë jam optimist. Pozicionohemi të 14-it në renditje dhe kjo sigurisht që ka vend për shqetësim, por jo për dëshpërim. Klasifikimi nga mesi i tabelës e deri në fund, përmbyset me një ndeshje të vetme. E kemi vetë në dorë gjithçka dhe javë në dispozicion kemi mjaftueshëm, për t’iu larguar rrezikut dhe për të mos diskutuar mbijetesën. Diferenca e pikëve është shumë e ngushtë, ndaj nuk trembem. Tani jam i përqendruar te ndeshja e radhës, që e luajmë me Turbinën. Me një fitore nis jo vetëm ringritjen e Besëlidhjes, por edhe rikthimi i tifozërisë në shkallët e stadiumit. Nëse kemi mbështetje, gjithçka do të jetë më e thjeshtë për ne.

Besoj se deri të shtunën do të kem mundësi që jo vetëm ta karikoj maksimalisht organikën, por edhe ta njoh. Përballja me cërrikasit do të jetë ‘etaloni’ ku do të mbështetem për të ardhmen, ndaj po i jap kaq rëndësi. Kam besim se Besëlidhja nga java në javë do të njohë vetëm ngritje. Normalisht, duke besuar edhe te fati. Në futboll përveç punës dhe bashkëpunimit, ndikon pak edhe fati. Unë drejtimin e mora në gjysmën e rrugës së sezonit dhe në një pozicion delikat, por që kam besim se të gjithë bashkë do të bëjmë më të mirën e mundshme për ta rikthyer në shina”, përfundoi lushnjari, pasi mbylli ditën e dytë të stërvitjes me ekipin.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"