Bano bën llogaritë për Besëlidhjen, “harron” të shkuarën: Lushnja na nxjerr nga fundi i tabelës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2023 | 10:08

Bano bën llogaritë për Besëlidhjen, “harron” të shkuarën: Lushnja na nxjerr nga fundi i tabelës

Në Lezhë do të lu het sot një finale, e gjitha për mbijetesën. Besëlidhja e vendit të fundit pret Lushnjën që renditet e 11-ta. Që të dyja rrezikojnë rënien dhe vetëm fitorja shihet si shpëtim. Këtë e pranon edhe Artan Bano, në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”.

bano

Trajneri është i detyruar që të “harrojë” të shkuarën, ndonëse i dhemb edhe gjendja e lushnjarëve. E megjithatë, ka një mision edhe më të madh: të largojë lezhjanët nga rreziku.

“Pozicioni që mbajmë aktualisht në renditje dhe koha që kemi në dispozicion nuk na lejojnë gabime. Të gjitha ndeshjet janë finale tani, por kjo e së shtunës është finale më vete. Do të përcaktojë rrugën mes mbijetesës dhe rënies një kategori më poshtë. Edhe Lushnja do të luftojë shumë për pikët, pasi është e zhytur në krizë, ndaj parashikohet të jetë si një finale për të dyja ekipet. Kjo është e treta ndeshje që jam në stol, ndaj e kam qartësuar edhe filozofinë time. Pozitiv për mua është fakti se i njoh të dyja skuadrat, pasi edhe lushnjarët i kam drejtuar dikur. Gjatë gjithë javës stërvitore kemi punuar intensivisht për ta karikuar ekipin nga të gjitha pikëpamjet si dhe sipas filozofisë së stilit të lojës së kundërshtarit. Jam optimist pasi të gjithë futbollistët e kanë të qartë se vetëm fitorja ndaj Lushnjës na nxjerr nga fundi i tabelës, nga ku nisim edhe ngjitjen drejt zonës së sigurisë. Jemi vërtetë në fund, por situata nuk është e pakapërcyeshme. Jam i bindur se do ta kalojmë këtë ngërç. Për këtë edhe e kam pranuar ftesën për ta drejtuar Besëlidhjen”, përfundoi Bano.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"