Ballshi në delir, Bylisi në elitë pas një sezoni. Bellai: Më të vështirën e kaluam, tani duam titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2024 | 12:58

Ballshi në delir, Bylisi në elitë pas një sezoni. Bellai: Më të vështirën e kaluam, tani duam titullin

Bylisi rikthehet pas një sezoni në Superiore. Me tri pikët e fituara kundër Korabit, ballshiotët kanë siguruar matematikisht, katër javë para fundit ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar. Pas këtij suksesi parësor, Bylis në vazhdim synon edhe vendin e parë, teksa do të vazhdojë të rivalizojë me Elbasanin për kreun në katër javët e mbetura të garës.

BYLIS KORABI

Skuadra e trajnerit Bellai fitoi në shifrat 3-2 në “Adush Muacaj”. Pjesa e parë përfundoi 2-2 dhe Peralta vulosi fitoren në pjesën e dytë. Pas sfidës, në Ballsh shpërtheu festa e ngjitjes.

Ndeshja- Të dy ekipet e nisën takimin e me shumë mungesa dhe lëvizje taktike në formacion. Ndeshja nis me dëshirë dhe të dy skuadrat u vunë në kërkim të rrugës së rrjetës. Vendësit kaluan të parët në avantazh, ku në minutën e 19-të Peralta pason për Kamara dhe më pas Trumçi në fundore kroson për Xhefersonin, i cili nuk fal dhe 1-0. Por tetë minuta më vonë janë dibranët që barazojnë shifrat. Marku nis një top nga mesfusha në anësore për Lilajn që kroson, dhe aty Çema pasi nxjerr “huq” Beqajn, asiston për Kryemadhin që shënon dhe barazon shifrat në 1-1.

Minuta 39, Xheferson shërben te Kamara që pasi e rregullon topin në hyrje të zonës mike, në të djathtë të sulmit lëshon një silurë me të majtën dhe realizon, 2-1 për Bylisin. Miqtë nuk pajtohen me rezultatin dhe dy minuta më pas barazojnë shifrat. Henri Marku ndërton një aksion dhe shërben për Lilajn, i cili pason për Kasallën dhe ky lëshon një predhë duke ndëshkuar portierin Beqaj të pavëmendshëm. Bylisi pretendon për një penallti në fund, madje ka protesta nga lojtarët e stafi për një ndërhyrje të gabuar ndaj Trumçit në zonën mike. Gjyqtari Çelaj vijoji lojën dhe me këtë episod të dyshimtë dhe në shifrat 2-2 u mbyll pjesa e parë.

Fraksioni i dytë nisi me ndryshime në formacion nga të dy trajnerët, ku te Bylisi bie në sy aktivizimi i sulmuesit 19-vjeçar, Mamadu Oulare. Në këtë pjesë ballshiotët janë më kërkues se miqtë nga Peshkopia, ku trajneri Kumbarçe u mundua që me zëvendësimet të ndryshojë diçka në ekip. Në minutën e 73-të Bylisi gjen golin e fitores me Peraltën, i cili me një gjuajtje nga jashtë zonës vulos shifrat në 3-2. Pas avantazhit, ballshiotët qetësojnë lojën dhe qarkullojnë topin, ndërsa Korabi sulmoi me Çemën, por ndeshja u mbyllet me fitoren e vendësve. Festë në Ballsh teksa Bylisi gjeti fitoren e tretë radhazi, si dhe siguroi ngjitjen në elitë, kur kanë mbetur edhe katër ndeshje deri në fund të kampionatit.

 

Trajneri i Bylisit

Bellai: Më të vështirën e kaluam, tani duam titullin

Arian Bellai, trajneri i Bylisit, e ka drejtuar skuadrën ballshiote në kufijtë e perfektes, teksa të tijtë kanë pasur një sezon mes rekordesh, derisa të shtunën  arritën objektivin parësor. Me fitoren 3-2 ndaj Korabit Bylisi siguroi matematikisht pjesëmarrjen në Superiore në sezonin 2024-2025. “Konkretizuam me sukses një punë të mirë duke realizuar objektivin madhor, teksa u rikthyem në elitë falë një pune kolosale prej një sezoni. Nga presidenca, bashkë me stafin dhe djemtë, kemi bërë një sezon perfekt. Edhe pse kemi pasur ato ulje-ngritjet tona, gjithsesi duhet të flasim pozitivisht, sepse më të vështirën e kemi kaluar. Kemi respektuar garën dhe veten, kemi bërë lojë të bukur dhe kemi marrë rezultate shumë të mira. Mund të bënim edhe më mirë në momente të veçanta, megjithatë jam i kënaqur dhe sigurisht që mirënjohje shkon edhe për tifozët, që nuk kanë munguar nga Peshkopia e deri në Burrel e Vlorë. Në javët e mbetura do të bëjmë më të mirën, natyrisht duke synuar tashmë edhe vendin e parë, ashtu edhe promovimin e elementit të ri në ekip”, u shpreh trajneri Arian Bellai për “Panorama Sport” pas fitores me Korabin.

Trajneri i Korabit

Kumbarçe: Me pak kujdes merrnim pikë

Shpend Kumbarçe, trajneri i Korabit, pas humbjes në Ballsh, për “Panorama Sport” u shpreh: “E kishim të qartë se do të luanim me një nga ekipet më të mira të së Parës, si dhe kishim mungesa titullarësh. Gjithsesi, djemtë që luajtën treguan dëshirë dhe bënë një lojë të mirë. Me pak kujdes dilnim edhe me pikë nga Ballshi, por kualitetet e Bylisit në momente të caktuara bën diferencën dhe zgjidhën situatat. I uroj suksese Bylisit në elitë. Korabi do të vazhdojë të luajë për të marrë maksimumin dhe për një vend në ‘play off’. Do të evidentojmë edhe lojtarët e talentuar që kemi në ekip, në saj të punës së mirë që ka bërë klubi ndër vite dhe politikat që kemi për të ardhmen”.

ERJON SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"