ATLETIKË/ Luiza Gega e mbyll sezonin me rekord, Stërmasi: Vit me rezultate fantastike

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2023 | 11:07

ATLETIKË/ Luiza Gega e mbyll sezonin me rekord, Stërmasi: Vit me rezultate fantastike

Luiza Gega e ka mbyllur zyrtarisht sezonin 2023 me një tjetër rezultat të madh. Kampionia kuqezi ka stampuar një tjetër rekord kombëtar me kohë super, këtë herë në 2000 metra me pengesa, aktivitet i zhvilluar në Zagreb, i kategorisë “Continental Gold Tour”. Ndonëse bëhet fjalë për një sezon të gjatë dhe të stërlodhshëm me ngarkesë të madhe garash, Luiza e përfundoi me paraqitje fantastike, teksa fiksoi kohën 5:56.79, duke përmirësuar me disa sekonda rekordin e saj kombëtar 6:00.07 të vendosur në vitin 2019.

Taulant Stermasi - Luiza Gega

Koha 5:56.79 e regjistruar nga Luiza Gega të dielën në Zagreb është koha e dytë me e mirë në historinë e disiplinës 2000 metra me pengesa në Europë dhe e katërta më e mirë në botë, rezultate që tregojnë më së miri edhe një herë nivelin e jashtëzakonshëm të atletes sonë. Ndërkohë pas garës, për “Panorama Sport”, presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Taulant Stërmasi, ka analizuar sezonin e artë të Luiza Gegës.

SEZONI I LUIZËS – “Në fakt sezoni ishte shumë i mirë. Në nivel cilësor ky vit ka qenë shumë më lart se 2022-shi. Sigurisht që kishim pritshmëritë më të mëdha, por vetëm më Kampionatin Botëror. Siç dihet, ishte një garë ku Luiza u penalizua nga dëmtimi, pasi nuk mbërriti në gjendjen e saj më të mirë. Pritshmëritë i kishim te koha 9:05, por shpresojmë që do t’i evitojmë këto probleme në sezonin e ardhshëm dhe të jemi në gjendjen më të mirë për Olimpiadën”, shprehet fillimisht Stërmasi, i cili më pas shton: “Jam shumë i kënaqur sepse Luiza ka pasur një performancë në gjatësi të madhe, si në vitin 2022, gjithashtu edhe në vitin 2023. Ka pasur një formë shumë të mirë dhe rritje në rezultate, siç ishin 3 vendet e para në Ballkan. Kampione në Lojërat Olimpike Europiane me rezultatin më të mirë në Europë në të tria ligat.

Në Botëror u kualifikua për në finale, një rezultat që është bërë si rutinë, edhe pse për Shqipërinë është i jashtëzakonshëm, pasi vetëm Luiza e ka arritur. Megjithëse jo në momentin më të mirë, regjistroi kohë super. Menjëherë pas Botërorit vendosi rekord kombëtar, një kohë shumë të fortë. Me kohën 9:10 vjet ishte e pesta në botë, ndërsa tani vrapoi 9:09. Më tej fitoi në gjysmëmaratonë, ndërsa së fundmi ishte rekordi kombëtar në 2000 metra me pengesa. Sigurisht që ka rekordin e Ballkanit dhe rekordet e tjera. Ka thyer rekordin kombëtar në 5 km rrugë në mars, në një periudhë që nuk ishim as gati, që do të thotë se në sezonin e ri do të thyejë edhe rekordin e Ballkanit në këtë disiplinë”, deklaron kreu i FSHA-së. 2000 M/P – Rekordin e Gegës në 2000 m/p, Stërmasi e komenton kështu: “Në këtë disiplinë kishte një rezultat shumë të fortë 6:00.07 dhe arriti ta përmirësonte të dielën duke e zbritur në 5:56.79. Kjo është koha e dytë në Europë dhe e katërta në botë gjatë të gjithë historisë. Një nga objektivat e vitit të ardhshëm do të jetë edhe rekordi i Europës në 2000 m/p. Luiza është një sportiste e nivelit shumë të lartë dhe ne jemi mësuar me rezultatet e saj, sepse është gjithnjë në majë. Por për federatën nëse një tjetër sportist do të bënte 1 nga 35 rezultatet që Luiza bën gjatë të gjithë vitit, do të ishte krenari e madhe për federatën”.

PËRMIRËSIMI – Presidenti i atletikës shqiptare thekson se Luiza Gega ka sërish vend për t’u përmirësuar në rezultatet e saj: “Janë ca gjëra që e shikoj se Luiza mund të bëjë shumë herë më mirë. Këtë gjë e kuptojmë si unë gjithashtu edhe vetë ajo. Luiza mbaron garën dhe qëndron në këmbë, ndërsa të tjerat shtrihen në tokë, që do të thotë se kemi ca gjëra për të përmirësuar”, shprehet Stërmasi. Ndërkohë i pyetur nga gazeta, a do të ketë atletika shqiptare një tjetër sportiste të nivelit të Luiza Gegës, kreu i FSHA-së thotë: “Do të luftojmë fort për të pasur sportistë të tjerë të këtyre niveleve, por unë them që nuk do të ketë tjetër me këtë histori që ka Luiza. Atletika nuk vdes me një sportist, pasi sporti do të vazhdojë gjithë jetën, por atlete që ka nga 2011-ta deri në 2023-shin, 13 vjet që të thyesh rekord çdo vit nuk ka për të pasur. Edhe në botë sportistë të niveleve shumë të larta, mund t’u futet ndonjë dëmtim në mes dha t’ua humbasë të gjithë sezonin. Mund të jenë në superformë, bëjnë 3-4 vite të mira, pastaj bëjnë 2 vite pushim dhe rikthehen. Por të jesh prej 13 vitesh duke thyer çdo vit rekord kombëtar është e jashtëzakonshme”, përfundon Stermasi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"