Atletikë/ Luiza Gega dhe Franko Burraj triumfojnë në Kupë. Shkëlqen edhe gjyqtari i Superiores si pjesë e klubit kryeqytetas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2023 | 20:20

Atletikë/ Luiza Gega dhe Franko Burraj triumfojnë në Kupë. Shkëlqen edhe gjyqtari i Superiores si pjesë e klubit kryeqytetas

Në bazë të kalendarit vjetor, Federata e Atletikës ka zhvilluar dje Kupën e Shqipërisë. Sportistë nga gjashtë klube të vendit, si Tirana, Vllaznia, Skënderbeu, Partizani, Elbasani dhe Flamurtari konkurruan në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës në një ditë ku nuk munguan reshjet e shiut, duke ua vështirësuar edhe më shumë garat atletëve.

Luiza Gega dhe Franko Burraj

Luiza Gega dhe Franko Burraj

Në këtë event mori pjesë edhe Luiza Gega, kampionia me rekord e Kampionatit Europian, e cila sigurisht u shpall sportistja më e mirë e aktivitetit në radhët e femrave. Ndërkohë për meshkuj, vlerësimi si sportisti më i mirë i Kupës së Shqipërisë shkoi për Franko Burrajn. Për sa u përket renditjeve ekipore, Tirana, mbetet lidere absolute te femrat. Skuderia e talenteve të trajnerit Taulant Stërmasi u klasifikua në vend të parë me 163 pikë. Për meshkuj triumfoi Vllaznia, me 162 pikë.

asdasdsadsada (1)

GARAT – Duke kaluar te garat, Kupa shpalli fitues në 3-hapësh Joana Golin e Tiranës dhe Kolindo Kirin e Vllaznisë. Në 110 metra me pengesa për meshkuj, triumfoi Milen Caco i Skënderbeut, ndërsa në 100 m/p për femra vendi i parë i takoi Melisa Sinës së Partizanit. Relaksa Dauti dhe Dionis Kushta të Tiranës fituan në garën e 800 metrave. Sprinti i 100 metrave u fitua nga Elisa Myrtollari e Skënderbeut dhe Leandro Çardaku i Vllaznisë.

WhatsApp Image 2023-04-25 at 8.09.44 PM (1)

Në kërcim së larti triumfuan Rexhina Berami e Partizanit dhe Milen Caco i Skënderbeut. Në 1500 metra, Luiza Gega bëri formalitetin te femrat, ndërsa për meshkuj triumfoi Tirron Memushi i Elbasanit me kohë më inferiore se të Luizës.

fituesit (1)

Livia Topi e Skënderbeut dhe Franko Burraj i Vllaznisë fituan garat e 400 metrave. Në 3000 metra triumfoi sërish Tirron Memusha, ndërsa Joan Deli fitoi garën e gjyles. Luiza Gega e shpalli Tiranën fituese edhe në disiplinën e 5000 metrave.

WhatsApp Image 2023-04-25 at 8.09.43 PM (1) (1)

Në 400 metra me pengesa të parët vijën e finishit e kaluan Uibi Ahmet e Skënderbeut dhe arbitri i futbollit, Florian Lata, i cili përfaqëson Tiranën. Vllaznia dominoi kërcimin për gjati, me Erisa Rrasën dhe Muhamet Çengelin, ndërsa gara e 200 metërshit u fitua nga Iliana Beqiri e Tiranës dhe Franko Burraj i Vllaznisë.

FOTOT: F. HAZISLLARI
PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"