ATLETIKË/ Gara 110 m/p e Kupës, Taulant Stërmasi sqaron: Janë shpallur 2 fitues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2024 | 11:35

ATLETIKË/ Gara 110 m/p e Kupës, Taulant Stërmasi sqaron: Janë shpallur 2 fitues

Gara 110 metrave me pengesa në Kupën e Shqipërisë në atletikë, event që u mbajt të shtunën në Elbasan ka prodhuar polemika.

stermasi

Kryetrajneri i Skënderbeut, Juxhin Çili, shfaqi pretendimet e tij për mosfunksionim e fotofinishit, teksa në një prononcim për gazetën, ndër të tjera, u shpreh se vendi i parë i takonte sportistit të skuadrës së tij, Milen Cacos dhe jo sportistit të Vllaznisë, Durjon Idrizajt. Pas ankesës së trajnerit korçar, ka ardhur edhe reagimi i presidentit të Federatës Shqiptare të Atletikës, Taulant Stërmasi. Kreu i FSHA-së sqaron për “Panorama Sport” se për garën në fjalë ka pasur dy vende të para me rezultatin e njëjtë, njëjtë 14.9.

“Me rregulloren e re të Federatës Botërore të Atletikës matjet me kronometër që janë të njohura, ne jemi të detyruar që mos të njohim të qindtat, por vetëm të dhjetat. Në rastin në fjalë koha e të dyve është e njëjtë dhe kemi dy sportistë në vendin e parë në podium në garën e 110 metrave me pengesa në Kupë, pra të dy kanë marrë medaljet e vendit të parë. Nëse atletët do të kishin arritur normë kualifikuese në nivel ballkanik, europian apo botëror, ne e raportojmë në Federatën Botërore të Atletikës rezultatin e njëjtë, siç e kemi nxjerrë, 14.9 për të dy. Nuk na e lejon rregullorja që të themi me se me rezultatin 14.9 sekonda kemi një vend të parë dhe një vend të dytë. Mua më vjen mirë që kryetrajneri ka ngritur një shqetësim dhe nuk e shikoj gabim që njerëzit kanë opinione të ndryshme. Gjithsesi, për të shmangur këto situata në kampionatin kombëtar do të vendosim edhe një kamer lart për të filmuar të gjitha garat dhe finishin”, shpjegon Stërmasi.

PROBLEMET ME FOTOFINISHIN – Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës ka folur gjithashtu edhe për problemin teknik me fotofinishin në stadiumin “Elbasan Arena”: “Fotofinishi ka një problem me një kabull që nuk bën kontaktin me pistoletën, ose më saktë në disa raste e bën dhe në disa raste jo. Por as gjyqtaria dhe askush nuk ka interes që të japë një kohë që nuk është e vërtetë. Në Elbasan ka edhe një problem teknik. Kur kanë bërë stadiumin, i cili është shumë i mirë, kanë bërë një gabim që ka të bëjë me nisjen e garës së 110 metrave. Pra, nisja nuk është bërë aty ku duhet nga ata që kanë bërë stadiumin, që do të thotë se starti s’është bërë dhjetë metra larg garës së 100-shit, por pesë metra larg. Kjo do të thotë finishi duhet të spostohet me pesë metra, pra na duhet të ndalojmë garat dhe të bëjmë akordimin e rrezes, një proces që kërkon kohë mbi 1 orë. Gjithnjë garat e 110 metërshit janë realizuar në këtë formë”, shprehet Stërmasi.

Më tej kreu i FSHA-së thotë sa ka edhe raste të ngjashme në garat ndërkombëtare, ku edhe pse janë bërë me fotofinish, ka pasur dy vende të para, të dyta apo të treta: “Ka ndodhur edhe në Federatën Botërore të Atletikës, ku edhe pse me fotofinish kemi pasur dy vende të dyta, apo dy vende të treta, pasi ekziston mundësia që mund të qëllojë që edhe me të mijtat mund të jenë barazim. Janë raste shumë të rralla, por kanë qëlluar edhe në kampionat botëror, ku në garën e 100 metërshit kanë dalë 3 veta në vend të tretë dhe këtu po flasim për gara me fotofinish”, përfundon Stërmasi.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"