ATLETIKË/ Europiani “indoor”, David Nikolli nuk arrin finalen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2023 | 11:05

ATLETIKË/ Europiani “indoor”, David Nikolli nuk arrin finalen

David Nikolli përfaqësuesi i vetëm i Shqipërisë në Kampionatin Europian të sallave të mbyllura, që po mbahet në Stamboll, ka zhvilluar mbrëmjen e djeshme garën e tij në kualifikueset e 1500 metrave.Collage Maker-03-Mar-2023-09-16-AM-7750

Nikolli mori pjesën në baterinë 3, në një garë me konkurrencë shumë të fortë. 28-vjeçari kuqezi shënoi kohën 3:42.67 duke u klasifikuar në vend të tetë në po kaq konkurrentë që morën pjesë në këtë bateri. Duhet thënë se gara ishte shumë e luftuar me diferenca minimale mes atletëve, ku mjafton të shikojmë vendin e parë, britanikun, Neil Gourley, i cili triumfoi me kohën 3:41.08. Ky rezultat nuk i mjaftoi Nikollit për të avancuar për më tej, duke e mbyllur këtu rrugëtimin e tij në Kampionatin Europian “indoor”.

Kujtojmë se vetëm disa javë më parë David Nikolli vendosi rekord kombëtar në 1500 metra, duke e ndalur kronometrin në 3:39.18, kohë që do t’i kishte dhënë kualifikimin në finale në garën e djeshme. Në Europian fillimisht ishte planifikuar që të merrte pjesë edhe Luiza Gega, por atletja kuqezi vendosi rreth dy javë më parë që të tërhiqet. Pas fazës përgatitore në Portugali, Gega nuk kërkoi që të rrezikonte në këtë garë, duke qenë se nuk vinte në maksimumin e formës së saj.

Aq më tepër që pika më e fortë për Luizën siç dihet është gara e 3000 metrave me pengesa, disiplinë kjo që nuk aplikohet në salla të mbyllura. Kështu fokusi kryesor për kampionen me rekord në Europian do të jetë sezoni i verës, aty ku do të kërkojë të tjera rezultate të mëdha ashtu sikurse po bën rregullisht gjatë viteve të fundit në çdo eveniment ku ka marrë pjesë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"