“Asnjë sfidë me Onuh”, braziliani Barbosa: Maliqi më sjell kujtime, primar mbetet suksesi i Shkumbinit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2021 | 19:01

“Asnjë sfidë me Onuh”, braziliani Barbosa: Maliqi më sjell kujtime, primar mbetet suksesi i Shkumbinit

Shkumbini vijon me intensitet të lartë përgatitjet në kuadër të sfidës së javës së katërt, të cilën do ta zhvillojnë në shtëpi përballë Maliqit. Kundërshtari nuk është i panjohur për peqinasit, pasi në fund të sezonit të shkuar luajtën një finale për më të mirën e Kategorisë së Dytë.

Barboza

Ishin bardhekaltrit që festuan si kampionë dhe heroi i asaj ndeshjeje ishte Rafael Barbosa. Braziliani vazhdon të shënojë, ndërsa në 270 minuta lojë e ka gjetur 4 herë rrjetën. Sulmuesi beson te vazhdimësia në shtëpi, përtej vlerësimit që shfaq për maliqarët.

“Nuk mund ta harroj kurrsesi golin e realizuar në finale përballë Maliqit, pasi ai na dhuroi trofeun e kampionit në Kategorinë e Dytë. E megjithatë, më duhet të them se kundërshtari ka një ekip të fortë dhe fakti që fituam me rezultat minimal është një tregues i qartë. Meritojnë vlerësim, nëse duam të vazhdojmë serinë e fitoreve në fushën tonë. Angazhimi në fushë të jetë i njëjtë me atë të sfidave të mëparshme”, tha Barbosa, që kryeson listën e golashënuesve të kësaj lige.

I pyetur nëse ka një “sfidë” mes tij dhe Onuh për numrin e golave, braziliani u përgjigj: “E them me sinqeritet që për mua dhe Onuh primar mbetet suksesi i Shkumbinit. Ne jemi këtu për të bërë më të mirën për skuadrën dhe tifozët tanë dhe në fushë duhet të tregohemi gjithmonë altruistë në zonën e kundërshtarit”.

FATMIR AHMETI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"