“Asnjë gabim në 6 ndeshje”, Prodani karikon Dinamon: S’ka më rrëshqitje!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2023 | 21:58

“Asnjë gabim në 6 ndeshje”, Prodani karikon Dinamon: S’ka më rrëshqitje!

Vjen çlirimi pas stresit… Brenda pak ditësh, në kampin dinamovit u përjetuan dy situata kaq të ndryshme nga njëra-tjetrën. Fillimisht erdhi ajo tronditje e fortë nga Apolonia, që zbehu jo pak objektivin e Superiores dhe një javë më pas fituan në Vlorë.

indrit prodani

Kthesa e menjëhershme u dha jo vetëm vendin e dytë, por i afroi me një pikë me kreun dhe dashur pa dashur janë më të relaksuar psikologjikisht. Tani e kanë fatin e tyre vetë në dorë. Nëse bëjnë si duhet punën e tyre në gjashtë ndeshjet e mbetura, mund të sigurojnë jo vetëm ngjitjen, por edhe titullin. Dhe këto llogari bëhen kur dihet që Flamurtari dhe Skënderbeu kanë një përplasje direkte mes tyre në Vlorë.

BINDJA E PRODANIT

Indrit Prodani e quan të çmuar fitoren me Flamurtarin. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi thekson se skuadra tregoi karakter në atë ndeshje. Futbollisti 24-vjeçar i bluve, autor i dy golave në kampionat, flet edhe për ndryshimin që ka sjellë Dritan Mehmeti në stol dhe vazhdimësinë e garës.

“Ishte një ndeshje shumë e vështirë, që arritëm ta kalonim me sukses dhe kjo tregon forcën e Dinamos. Mbi të gjitha, në atë ndeshje treguam karakter, duke mos bërë gabime dhe duke përballuar në mënyrën më të mirë kundërshtarin.

Ndeshje të tilla vendosen nga një episod dhe kështu ndodhi vërtet. Të gjithë çunat dhanë gjithçka në fushë dhe jemi të lumtur për atë trepikësh të çmuar. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë dhe kjo ndikon shumë në këtë fazë të fundit të kampionatit. Dua të përmend punën shumë të mirë që po bën profesor Mehmeti, po na ndihmon shumë të jemi sa më të përgatitur. Tashmë jemi të qetë dhe duhet të përgatitemi sa më mirë për çdo ndeshje, sepse asgjë nuk ka përfunduar. Janë edhe 6 finale të tjera”, u shpreh fillimisht laçiani.

JO MË RRËSHQITJE

Anësori i majtë qartëson se tani çdo hap duhet të jetë i matur, sepse nuk mund të falet më asnjë rrëshqitje. “Për ne ka shumë rëndësi që e kemi vetë në dorë ngjitjen në Superiore. Nëse fitojmë ndeshjet tona, sezonin e ardhshëm do të jemi në elitë patjetër. Së pari, duhet të ruajmë pozicionin që kemi, por pse jo dhe të synojmë të rimarrim vendin e parë, që e kemi mbajtur për shumë javë.

Me gjendjen dhe moralin që kemi, e them me bindje se nuk do të ketë më gabime apo rrëshqitje si ajo me Apoloninë. Jemi në atë pikë të sezonit, ku duhet përqendrim maksimal për të kaluar edhe këto pengesa që na kanë mbetur. Dinamo është një klub i mirinvestuar dhe shumë korrekt, ndaj dhe e ka vendin vetëm në Superiore”, e ka mbyllur Prodani.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"