Asllani dhe Kumbulla, mundësi trofeu europian për yjet e Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2023 | 21:18

Asllani dhe Kumbulla, mundësi trofeu europian për yjet e Shqipërisë

Kristjan Asllani dhe Marash Kumbulla. Sezon më i komplikuar sesa e kishin parashikuar, por që mund të mbyllet me trofe. Mesfushori i Interit erdhi me shumë bujë, por mosha e re e përvoja e pakët e kthyen në një alternativë të Simone Inzagit për mesfushën.

Collage Maker-21-May-2023-09-18-PM-8404

Sidoqoftë, 27 prezenca në sezonin e parë në Milano nuk janë keq. I mungon ende goli, por fakti që është përdorur në të gjitha turnetë nuk është detaj. Më 10 qershor do të jetë me gjasë përsëri në stol, kur në Stamboll zikaltrit të sfidojnë Mançester Sitin për trofeun e mbretëreshës së Europës.

Asllani do të mundohet të jetë gati në rast nevojë dhe përvoja me siguri do t’i shërbejë edhe kur të luajë më Shqipërinë, ku roli i tij është më i konsoliduar, pavarësisht moshës së re. Të mërkurën, Interi i tij do të luajë edhe finalen e Kupës së Italisë, që mund të jetë trofeu i dytë sezonal pas Superkupës së Italisë. Për një sezon të parë në një ekip të madh, shqiptari nuk ka përse të ankohet.

SHQIPONJA TJETËR – Pas Ligës së Konferencës së një viti më parë, kur festoi në Tiranë, Marash Kumbulla mund t’i shtojë karrierës së tij një tjetër trofe nëse Roma fiton në Budapest kundër Seviljës finalen e Ligës së Europës. Për mbrojtësin do të kishte qenë finalja e dytë që përjetonte nga fusha, por dëmtimi në gju e detyron të jetë tifozi i parë i shokëve të tij nga televizori.

Në fakt, pas kualifikimit në Leverkusen, skuadra festoi pikërisht me fanellën e shqiptarit, e cila valëvitej nga kapiten Pelegrini. Nëse Asllani mund të prekë 30 prezencat, sezoni i Kumbullës është i gjithi në 12 prezencat të ndara mes kampionatit (7), Ligës së Europës (3) dhe Kupës së Italisë (2). Sidoqoftë, një trofe mund ta bënte më të ëmbël rikuperimin e tij dhe mund t’i shtonte motivacionet për sezonin e ardhshëm.

AUTOBUSI I MOUT – Nëse Kumbulla do të festojë në Budapest, një meritë të madhe do t’i njihet Zhoze Mourinjos, që çon përsëri skuadrën e tij në një finale europiane pas fitores në Tiranë në Ligën e Konferencës një vit më parë. Pas kishte fituar minimalisht ndeshjen e parë, Romës i mjaftoi një barazim pa gola në Gjermani ndaj Leverkusenit. Djemtë e Mout nuk goditën kurrë kuadratin dhe iu nënshtruan pa u rrëzuar ritmit gjerman.

Shumë media i kujtuan teknikut portugez “Autobusin” me mbrojtës, që parkon përpara porte, në mënyrë që të mos pësojë. 3-5-1-1-shi ‘murinjian’ është një taktikë që mbase mund të gjykohet, por rezultatet flasin qartë dhe është Roma që do të luajë kundër Seviljës për trofeun në Budapest.

Suksesi në tokë gjermane ishte një “fotokopje” e arritjes së 13 viteve më parë, kur me Interin kualifikohej në finalen (që do ta fitonte) në dëm të Barcelonës. Për “specialin” është e gjashta finale në karrierë dhe fakti pozitiv është që në pesë pararendëset ka fituar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"