Asion Daja: Në Pukë falëm, Dinamo ngjitet patjetër në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2022 | 21:33

Asion Daja: Në Pukë falëm, Dinamo ngjitet patjetër në Superiore

Dinamo pësoi humbjen e dytë në kampionat, këtë herë në stadiumin e Pukës ndaj Tërbunit. Një humbje pa pasoja sa i takon klasifikimit, sepse blutë e ruajtën vendin e parë, por gjithmonë disfata lë një shije të hidhur dhe krijon stres për vazhdimësinë. Kjo ndeshje evidentoi faktin që skuadra ka nevojë për përforcime dhe veçanërisht në sulm.

Asion-Daja1-

Dinamo krijoi raste për shënim ndaj Tërbunit, sidomos në pjesën e parë me Denison, por nuk mundi t’i shfrytëzonte. Një problem ky që kryeqytetasit e kanë hasur dhe në ndeshje të tjera. Gjithsesi, blutë e kanë mbyllur vitin të parët dhe tani mund të punojnë të qetë për gjysmën e dytë të sezonit. Me siguri skuadra do të pësojë ndryshime në merkaton e dimrit, me largime dhe afrime.

DEKLARATA – Asion Daja, në një prononcim për “Panorama Sport”, flet për humbjen në Pukë dhe sezonin e deritanishëm të Dinamos. “Humbjen me Tërbunin mund ta kishim shmangur. Patëm rastet tona, por i falëm. Nëse do të shënonim, ndeshja do të merrte tjetër drejtim. Pastaj ishte edhe terreni shumë i vështirë dhe nuk u përshtatëm dot. U ndëshkuam në të vetmin rast që kundërshtari na erdhi në portë. Ndodh në futboll, por nuk duhet të na ndodhë më në vazhdim. Duhet të jemi ekip më i pjekur”, ka thënë fillimisht Daja për gazetën.

Më pas mesfushori theksoi se Dinamo nuk do ta diskutojë ngjitjen në Superiore. “Më mirë ndonjëherë që humbje si kjo me Tërbunin ndodhin tani. Ekipi ka pasur ecuri të mirë, por nuk mund të fitohen të gjitha ndeshjet. Ndoshta duhen edhe përforcime që skuadra të ketë më shumë cilësi. Ngjitja në Superiore mendoj se do të realizohet patjetër. Dinamo nuk është absolute, por ka skuadër për t’u kthyer në elitë. Duhet më shumë punë dhe përqendrim që të shmangim luhatjet që kemi pasur deri tani. Besoj se do të jemi më të fortë në vazhdimin e sezonit”, përfundoi mesfushori kryeqytetas.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"