Asani: Vllazninë nuk e kuptova, Erzeni luan sezonin në Kukës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2024 | 16:39

Asani: Vllazninë nuk e kuptova, Erzeni luan sezonin në Kukës

Erzeni ka hedhur një hap të rëndësishëm në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, duke mundur Vllazninë me rezultatin 2-1 në Rrogozhinë.

asani

Njeriu që zhbllokoi sfidën Xhelil Asani në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” u shpreh se ndihet i lumtur për golin e parë të shënuar me fanellën e shijakasve ndaj ish-skuadrës së tij. 28-vjeçari shtoi se kjo fitore erdhi në momentin e duhur pasi Erzeni ka një “finale” në kampionat me Kukësin.

Çfarë përjeton një futbollist kur i shënon ish skuadrës?

Unë festova edhe pse i shënova gol ish-ekipit që luajta për 6 muaj me radhë. Vllaznia është e shkuara ime dhe unë tani mendoj vetëm për Erzenin. E nisa mirë te shkodranët, pastaj u dëmtova dhe nuk e kuptova pse nuk u aktivizova më për asnjë minutë. I gjendur në këtë situatë, vendosa të luaj për Erzenin me qëllim për të pasur më shumë minuta në këmbë. Jam i kënaqur që po luaj rregullisht tek shijakasit dhe shpresoj të vazhdojmë me rezultate pozitive.

Sa shanse ka Erzeni të kualifikohet pas këtij suksesi minimal?

Ne do të bëjmë gjithçka për të shkuar në gjysmëfinale edhe pse do të jetë e vështirë. Mendoj që i kemi shanset dhe kualitetet për të kaluar me sukses edhe ndeshjen e dytë në transfertë përballë Vllaznisë. Ne e kemi prioritet t’i shkojmë deri në fund Kupës, pasi mund ta arrijmë Kupa e Europës edhe nga ky kompeticion. Fokusi ynë do të jetë maksimal dhe me punë intensive, kam përshtypjen se do të dalim me kokën lart nga “Loro Boriçi”. Duhet të shijojmë këtë moment dhe nga sot të përveshim mëngët për ndeshjet jetike që na presin në kampionat.

Sa ndikon kjo fitore në aspektin emocional për Kukësin?

Mendoj që kjo fitore erdhi në momentin e duhur, pasi kishim kohë që nuk fitonim. Gjykoj që do të ndikojë që ta përgatisim me qetësi transfertën delikate me Kukësin. Mendoj që është një ndeshje vendimtare që mund të përcaktojë shumëçka për fatin e sezonit. Jemi në një pikë të kampionatit ku çdo ndeshje është finale për Erzenin, pasi renditja na kushtëzon shumë. Aq më tepër që përballë kemi një rival direkt i etur për pikë. Ne jemi një grup i bashkuar dhe kemi fatin që drejtohemi nga një dyshe trajnerësh, të cilët e njohin skuadrën mjaft mirë duke marrë nga ne maksimumin.

Cili është objektivi i Erzenit?

Skuadra është ndërtuar për të qenë lartë në tabelën e klasifikimit. Krahasuar me sezonin e shkuar ku unë isha pjesë e Erzenit, ky grup lojtarësh që luajnë aktualisht janë dukshëm më cilësorë. Jam i bindur që do të reagojmë edhe në kampionat për të hedhur pas krahëve krizën. Erzeni nuk e diskuton mbijetesën dhe koha do ta tregojë shumë shpejtë këtë që unë po konstatoj. Ne do mundohemi të arrijmë sa më shumë pikë dhe më pas të shohim se çfarë do të synojmë.

Çfarë i premtoni tifozerisë shijakase?

Tifozët janë mbështetja jonë më e madhe, të cilët na ndihmojnë pa masë në çdo ndeshje me brohoritjet e tyre. Janë tifozët më të mrekullueshëm, pasi sakrifikijnë në çdo ndeshje duke qenë të shumtë në shkallët e stadiumit edhe pse ekipi i zemrës nuk luan në qytetin e tyre. I premtoj se do të bëj gjithçka bashkë me të gjithë shokët e skuadrës që ne të festojmë në fund të sezonit.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"