“As nxehjen nuk na e lanë ta bënim si duhet”. Flamurtari, Ramadani: Ja biseda me arbitrin në Laç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2024 | 12:35

“As nxehjen nuk na e lanë ta bënim si duhet”. Flamurtari, Ramadani: Ja biseda me arbitrin në Laç

Behar Ramadani zbardh gjithçka ndodhi në Laç të dielën. Shkodrani, që në atë ndeshje ishte kapiten thekson se takimi u luajt në kushte të pabarabarta, ndërsa akuzon se edhe nxehjen nuk u lejuan ta bënin siç duhet.

ramadani flamurtari

Kapiteni thekson se shumë sende u hodhën në fushë dhe Diamanti u godit, por asnjë masë. Ai tregon bisedën me gjyqtarin kur ndaloi takimin pas ofendimeve ndaj bashkëshortes. Sipas tij, përgjegjësi të madhe ka edhe skuadra që e nisi shumë keq sezonin. Shkodrani dëshiron të qëndrojë edhe sezonin e ri, pasi në Vlorë ndihet mirë.

Ramadani, çfarë ndodhi në Laç që ju pengoi në arritjen e objektivit?

Ndodhi ajo që kishin përgatitur. U luajt në kushte jo të barabarta, ku ne vinim pas një maratone të lodhshme. Përpos kësaj, duhet të përballeshim dhe me faktorët e tjerë duke filluar që nga nxehja, ku nuk u lejuam ta zhvillonim si duhet, dhe të tjerat me radhë.

Kishte presion nga sendet e hedhura në fushë apo nga faktorë të tjerë?

Patjetër që çdo gjë ndikon në një finale. Aq më tepër që nga këto sende u goditën edhe lojtarët tanë dhe nuk u mor asnjë masë.

A ndikoi gjykimi në këtë finale?

Nuk ia vlen fare ta diskutosh. Thjesht shpresoj që këto gabimet e njëpasnjëshme njerëzore me VAR apo pa VAR, që çuditërisht i ndodhën kaq shpesh Flamurtarit, të kenë marrë fund në Laç.

Sinan Idrizi pohoi se gjyqtari e ndërpreu vetëm një herë takimin, kur iu ofendua bashkëshortja. Çfarë ju tha juve si kapiten gjyqtari?

Po e vërtetë! Ai e ndaloi ndeshjen kur u ofendua dhe më kërkoi që t’i flisja tifozëve tanë. E pashë shumë të gatshëm të merrte masa kundër tyre, por këtë gatishmëri nuk e shfaqi në asnjë moment tjetër kur lojtarët goditeshin me bidonë, kur fusha ishte e mbuluar me sende të forta. Madje në një moment që Diamanti u qëllua, ai thjesht i kërkoi doktorit ta mjekonte jashtë fushe dhe vazhduam lojën me 10 vetë, sikur nuk kishte ndodhur asgjë.

Administratori Idrizi tha se edhe skuadra ka pjesën e saj të fajit, me 1.74 pikë për ndeshje. Keni përgjegjësi edhe ju si lojtarë?

Patjetër, përgjegjësia më e madhe është e jona. Nuk duhet t’i kishim lënë gjërat të shkonin deri në këtë pikë. Gjej rastin, që edhe në emër të ekipit t’u kërkoj ndjesë të gjithë dashamirësve të Flamurtarit. Nuk arritëm të gëzojmë një qytet që e do kaq shumë futbollin e bukur dhe të drejtë.

Keni disa vite në Vlorë. Sipas jush, çfarë s’shkoi këtë sezon?

⁠Sezonin e filluam shumë keq. U munduam të rikuperojmë rrugës dhe ia dolëm të afrohemi. Aty ku rivalët fitonin thjesht, kundër nesh ekipet shndërroheshin. Në pjesën e fundit të kampionatit ishim vërtet të pafat me dëmtimet, pasi disa lojtar me peshë u dëmtuan njëkohësisht.

Do të donit të qëndronit në Vlorë edhe për sezonin e ri?

Dëshira ime është të qëndroj te Flamurtari. Ajo vetëm sa rritet dita- ditës. Presidenti është shumë korrekt dhe ka ambicie që ta çojë para futbollin në Vlorë nëpërmjet investimeve. Kam marrë pa fund mesazhe inkurajuese në rrjete sociale, në rrugë dhe kudo nga tifozët që më bëjnë të ndihem i vlerësuar dhe i privilegjuar që përfaqësoj këto ngjyra. Në fund kam edhe një kërkesë, kushdo që organizon garat të ketë respekt për investimet që bëhen, për ndjenjat e një qyteti dhe për atë që Flamurtari i ka dhënë futbollit shqiptar ndër vite.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"