Artur bën llogari: Në Vlorë mjafton edhe një pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2022 | 17:35

Artur bën llogari: Në Vlorë mjafton edhe një pikë

Besëlidhja nuk po i ndal përgatitjet. I gjithë fokusi është te java e 12-të, që është edhe e fundit për këtë vit kalendarik. I pret një transfertë më shumë se e vështirë, e megjithatë lezhjanët janë optimistë.

1111

Ata do të udhëtojnë në Vlorë me misionin e qartë: të marrin pikë. Në këtë situatë që janë, vetëm kështu mund t’i largohen vendit të parafundit. Artur da Silva nuk e bën dramë gjendjen aktuale tek ekipi. Mbrojtësi paralajmëron se do të dalin nga kriza, duke nisur nga Flamurtarin. Me kualitetin që kanë në organikë, braziliani është i bindur për kthesën.

Këto komente i bëri enkas për “Panorama Sport”, ku nuk ngurroi që të analizonte edhe humbjen në shtëpi me Apoloninë. “Humbja e pamerituar ndaj Apolonisë, na e bëri gjithçka më ‘malore’. Rruga për mbijetesë është vështirësuar shumë. Ishte një nga ndeshjet më dramatike që kemi zhvilluar gjatë këtij sezoni. Edhe pse pësuam, shumë shpejt barazuam dhe kjo na dha shpresa se fraksionin e dytë do ta fitonim. Fazën e dytë luajtëm fort dhe e vumë nën presion kundërshtarin, duke krijuar shumë raste shënimi. Por kemi shpërdoruar edhe brenda zonës së portierit, çka është e pafalshme. Miqtë u treguan më racionalë, aq sa me një zbritje krijuan rastin e golit dhe e realizuan duke na e marrë fitoren. Edhe pse humbëm në shtëpi dhe renditemi në zonën e kuqe, kjo nuk është dramë dhe as fundi për Besëlidhjen. Koha që kemi në dispozicion dhe kualiteti i ekipit na jep shpresa për mbijetesë. Tani jemi të përqendruar vetëm te java e fundit për këtë vit kalendarik, që do ta zhvillojmë në transfertë. Ndaj Flamurtarit duhet që patjetër të marrim pikë ku edhe një barazim do të na bënte punë. Mjafton që të mos humbim. Shpresoj shumë se nga gabimet e deritanishme vetëm sa do të përfitojmë e jo të humbasim”, përfundoi 24- vjeçari.

PRENG GJIKOLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"