Artan Bano “kërcënon” Lushnjën: Nuk dal pa pikë nga “Roza Haxhiu”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2021 | 12:47

Artan Bano “kërcënon” Lushnjën: Nuk dal pa pikë nga “Roza Haxhiu”

Artan Bano kthehet në Lushnjë, por këtë herë si ish. Mes nostalgjisë për të shkuarën dhe profesionalizmit, trajneri e ka të qartë se çfarë do të kërkojë në “Roza Haxhiu”.

artan bano

Duke e vlerësuar si të vështirë javën e 4-t, lushnjari pret që të mos largohet pa pikë nga kjo transfertë. Nuk i beson aspak renditjes që ka kundërshtari dhe këtë është munduar që t’ua injektojë edhe lojtarëve. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i stolit të Butrintit thotë:

“Pa dyshim që do jetë një ndeshje e vështirë. Nëse i referohemi tabelës, të gjithë mendojnë se kemi të bëjmë me një kundërshtar të lehtë në letër. Por, është e kundërta. Janë luajtur vetëm tri javë, asgjë më shumë. Realiteti në klasifikimin aktual, në opinionin tim, besoj se nuk është ‘barometri’ për të dëshmuar forcën e çdo ekipi. Lushnja është qyteti i origjinës. Atje hodha hapat e parë si lojtar dhe u maturova.

Besoj se kam dhënë më të mirën e mundshme si lojtar për skuadrën e qytetit tim, pse jo, edhe në rang kombëtar. Gjithsesi, futbolli ky është, të duhet të përballesh edhe ndaj së shkuarës. Si profesionist më duhet të them se nga Lushnja ekipi im s’do të dalë pa pikë”.

Skuadra ka mbyllur dje paradite përgatitjet dhe është gati për këtë 90-minutësh, grupi është i plotë dhe kanë marrë rrugën drejt Lushnjës, për të qenë gati për “betejën” e radhës në Kategorinë e Parë. Formacioni nuk ndryshon, ndërsa trajneri mbetet “fanatik” i 11- shes që i ka sjellë 6 pikë në 270 minuta.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"