Arbëri e sheh si malore me Skënderbeun: Janë ata favoritë, por të luajmë si të barabartë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2023 | 23:32

Arbëri e sheh si malore me Skënderbeun: Janë ata favoritë, por të luajmë si të barabartë

Tomori ka arkivuar fitoren e tretë radhazi dhe është përqendruar te Skënderbeu. Beratasit janë të vetëdijshëm që do të kenë një “provim” të vështirë në Korçë, diktuar nga vetë objektivat. Kjo e bën të paparashikueshme si sfidë, gjë që e deklaron edhe vetë Klodian Arbëri. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri e pranon që korçarët janë favoritë, por paralajmëron se nuk do të udhëtojnë të dorëzuar.

klodian arberi

“Skuadra po kalon një moment të mirë. Mund të thoja që është momenti ynë madje. Janë tri fitore radhazi dhe kjo ndikon sigurisht në moralin dhe motivimin e skuadrës për vazhdimësinë e garës. Kanë mbetur edhe 8 javë dhe qëllimi është që të çimentohemi në zonën ‘play off’. Le të përqendrohemi te ndeshja e radhës, sidoqoftë.

Shkojmë në Korçë këtë fundjavë, ku na pret Skënderbeu. Kam përshtypjen se janë korçarët favoritë në këtë përballje, kështu mendoj unë të paktën. Ata luajnë në shtëpi dhe mbi të gjitha pretendojnë të kapit dy vendet e para. Për këtë arsye i shoh të avantazhuar. Për Tomorin kjo do të jetë një ndeshje radhe dhe do të na duhet të tregojmë se dimë të luajmë një futboll të bukur dhe jo rastësisht gjendemi në vendin e pestë. Duke ditur vështirësitë e kësaj transferte, i kemi vendosur një qëllim vetes. Duam të tregojmë që nuk ndikohemi nga faktori fushë dhe mund të jemi të barabartë me kundërshtarin.

Këtë e arritëm më së miri në kryeqytet, ku mundëm Dinamon me një lojtar më pak. Parë në këtë këndvështrim, Skënderbeu nuk do ta ketë aspak të lehtë me ne. Që në nisje të këtij sezoni, isha i bindur për cilësinë dhe garancinë që jepte ky grup. Dhe këtë po ma tregojnë nga java në javë. Krahas lojës së bukur, shpresojmë edhe te një rezultat pozitiv. Mund të duket e tepruar ndoshta, do të bëjmë çmos që ta marrim ndonjë pikë”, e ka mbyllur deklaratën e tij tekniku beratas.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"