“Apolonia u tregua cinike ndaj Vorës”, Asllanaj: S’e kuptova tensionin, penallti neto
Apolonia e ka mbyllur më së miri fazën e parë. Mundi Vorën në stadiumin “Loni Papuçiu” dhe kapi vendin e tretë. Një nga protagonistët absolut të kësaj fitoreje, ishte Ersildjo Asllanaj. Mbrojtësi ekzekutoi penalltinë e minutës së 89-të dhe arriti t’i dhurojë tri pikë të arta skuadrës. Në intervistën e dhënë enkas për “Panorama Sport”, 22-vjeçari vlerëson shpirtin e garës dhe paralajmëron shpërthimin pas pushimit të Kombëtareve.
Nuk kishte si të mos komentonte pretendimet e vorakëve për gjykimin, por edhe tensionin e krijuar në fund të ndeshjes. Thekson se 11- metërshi ishte i pastër, ndërsa axhitimin e miqve vazhdon të mos e kuptojë.
Sa e rëndësishme ishte për Apoloninë fitorja me Vorën?
Ishte shumë e rëndësishme, sepse na nevojitej patjetër marrja e tri pikëve. Vinim pas dy rezultateve jo fort pozitive dhe reagimi ishte domosdoshmëri, për më tepër në “Loni Papuçiu”. Kjo fitore na e rrit edhe më shumë vetëbesimin e moralin për fazën e dytë të kampionatit. Jam i bindur dhe besimplotë se do të vijojmë me ecurinë e fitoreve. Pse jo do të jemi edhe më të fortë.
Për afro 25 minuta ishin me një lojtar më pak në fushë. Si e sfiduat inferioritetin numerik?
Kundër Vorës e dinim që do të ishte një ndeshje shumë e vështirë dhe ashtu rezultoi në fakt. Mirëpo nuk ishte ndeshja jonë e parë “malore”, e as nuk do të jetë e fundit me siguri. U futëm në fushë vetëm për tri pikët dhe ishim solidë në mbrojtje dhe “vrastarë” në kundërsulm. U treguam cinikë, por edhe shumë të duruar, në fund ia dolëm, edhe pse luajtëm për disa minuta me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Diambombës. Gjithçka u arrit falë shpirtit tonë të garës, sepse ne hyjmë në fushë për të luftuar, dhamë më të mirën dhe për të marrë frytet e punës sonë.
Një penallti solli fitoren dhe në limite… patët frikë në momentin e ekzekutimit?
Jo, kisha një siguri në vetvete në atë çast. Jam shumë i lumtur që ia dola, sepse ishte një gol me mjaft vlera për të gjithë ne. Pastaj, donim aq shumë që të kënaqnim tifozët. Ata kishin ardhur në stadium për të gëzuar me ne. Dua t’i falënderoj për atmosferën e krijuar dhe mbështetjen e dhënë.
Vora ka pretendime për penalltinë…
Ishte penallti e pastër dhe nuk ka asnjë dyshim për këtë. Mbrojtësi kundërshtar e pengon me duar sulmuesin tonë. Vendimi i gjyqtarit ishte më se i drejtë. Nuk ka vend për diskutime.
Arbitri i katërt u godit me stol në kokë, tifozët shqyen rrethimin, pa harruar edhe sherrin në fushë. Pse u tensionua aq shumë situata në fund?
Pastaj për tensionin në përfundim të ndeshjes, nuk di ç’të them. E cilësoj si të pakuptimtë. Të them të drejtën akoma nuk e di të them çfarë ndodhi në të vërtetë. Ishte rrëmujë dhe të gjithë po kapeshin me të gjithë. Lojtarët dhe tifozët miq ishin të agravuar, besoj ka ndikuar edhe rezultati final.
Falë tri pikëve të fundit, Apolonia është në vendin e tretë në renditje. Çfarë note do t’i vinit skuadrës në mbyllje të kësaj faze?
Sa të kënaqur, aq edhe krenarë, sepse ne jemi brenda pritshmërive të fillim sezonit. Ka qenë një fillim i mbarë dhe fillimi i mbarë është gjysma e punës. Vendi i tretë na jep edhe besim, por na shton edhe përgjegjësinë për t’u ngjitur më lart në renditje. Jemi këtu me meritë, pasi kemi ndërtuar gjithçka me punë.
Pas pushimit, ju pret “derbi” me Lushnjën. Çfarë synoni?
Kemi kohë ende, pasi tani jemi në pauzë. Por është e sigurt, që do të jetë një ndeshje e luftuar, përtej klasifikimit aktual. Pastaj jemi duke folur për “derbi” dhe dihet rëndësia që kanë të tilla përballjet. Mirëpo, ne kemi një parim në çdo ndeshje hyjmë me mision të qartë: për të dhënë dhe marrë maksimumin. Pa harruar që do të luajmë sërish në Fier dhe do të synojmë vetëm tri pikët nga ky duel i rëndësishëm, por jo vendimtar.
HILMI SALIU -PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"