Apolonia triumfoi me përmbysje ndaj Shkumbinit/ Kanarsa: Më kënaqën pikët, loja jo edhe aq; Pashja: U ndëshkuam nga dy momente pakujdesie

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2021 | 19:51

Apolonia triumfoi me përmbysje ndaj Shkumbinit/ Kanarsa: Më kënaqën pikët, loja jo edhe aq; Pashja: U ndëshkuam nga dy momente pakujdesie

Kthehet Apolonia. Pasi u mund nga Erzeni në “Loni Papuçiu”, gjen fitoren e parë në të njëjtin stadium. Këtë herë përballë kishin Shkumbinin e sapongjitur në Kategorinë e Parë.

Apolonia-Shkumbini

Vuajtën jo pak, aq sa në pushim shkuan në disavantazh të një goli. E megjithatë, menduan Jeton Krasniqi dhe Redi Kaçanolli që të zhvlerësonin rrjetën e Rafael Barbosës e t’u jepnin trepikëshin të besuarve të Juri Kanarsës.

Apolonia

Juri Kanarsa u kënaqet pikëve, por jo lojës. Trajneri i Apolonisë e sheh këtë si një fitore që do t’i japë motivimin e duhur për të vijuar garën e gjatë drejt rikthimit në elitë. “Më shumë më gëzuan pikët e marra në shtëpi sesa loja. Në fund të fundit ka rëndësi rezultati final, pasi shërben për të motivuar skuadrën për kampionatin e gjatë dhe të vështirë që na pret. Ishte fitorja e parë, por ky është vetëm fillimi. Ne do të bëjmë mirë ndaj çdo kundërshtari, pavarësisht emrit. Kemi një grup të ri lojtarësh dhe këta kanë nevojë për kohë që të japin 100% e tyre në çdo ndeshje”, u shpreh italiani i stolit të fierakëve.

Lorenc Pashja shpreh keqardhje për humbjen, e cila i hoqi nga duart një tjetër rezultat pozitiv. Trajneri evidenton se Shkumbini u ndëshkua nga dy momente pakujdesie. “Zhvilluam një ndeshje të mirë, për fat të keq u ndëshkuam nga dy momente pakujdesie. Të them të drejtën, rezultati më i drejtë do të ishte barazimi. U përpoqëm të jepnim maksimumin dhe jam i kënaqur nga titullarët. Patjetër që duhet të rritemi më shumë fizikisht, të jemi më solidë në mbrojtje dhe të dimë të mbrojmë rezultatin kur jemi në avantazh. Ne do të shohim përpara, në mënyrë që në ndeshjet e radhës të mos dalim më pa pikë”, tha tekniku.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"