Apolonia “shtrydhet” në stërvitje. Rotacion në dukje, trajneri Rodriges jep një “mal” me porosi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2023 | 20:08

Apolonia “shtrydhet” në stërvitje. Rotacion në dukje, trajneri Rodriges jep një “mal” me porosi

Apolonia “shtrydhet” në stërvitje. Kampionat vërtet nuk kishte, por ngarkesat u rritën. Skuadra nuk e ndali punën, përfshi edhe të shtunën dhe të dielën. Këtë javë ka Kupë e kampionat (të mërkurën luajnë me Naftëtarin dhe të dielën me Luzin), ndaj Jeraj Rodriges pret që ekipi t’i përballojë fizikisht.

APOLONIA

Trajneri ka qenë i fokusuar më së shumti te taktika edhe dje, veçanërisht te lëvizjet dhe pozicionet e mundshme të lojtarëve. Si gjithmonë, ka pasur gjëra për të thënë e sqaruar. Për ta bërë gjithçka më të thjeshtë, në fund planifikoi edhe një minindeshje 30-minutëshe. U përfshinë 22 lojtarë, çka do të thotë se ekipi u nda në dy skuadra. Pa e filluar këtë provë, spanjolli dha edhe një mesazh për të tijtë. “Ne jemi një skuadër e plotë dhe të gjithë jeni njësoj. Titullar apo zëvendësues, herët a vonë do ta ketë mundësinë për të treguar gjithë potencialin.

Sezoni është i stërgjatë dhe shumë i vështirë, por ne do të japim maksimumin në çdo ndeshje. Pak rëndësi ka ku dhe me kë luajmë. Unë pres dhe besoj gjithmonë që ju do të jepni më të mirën tuaj. Prandaj në dy ndeshjet e radhës, pavarësisht se janë shumë afër njëra-tjetrës dhe janë të vlefshme për dy kompeticione të ndryshme, pres të njëjtin reagim dhe mentalitet. Gjithmonë prej fituesi, këtë mos e harroni kurrë. Forca dhe suksese”, tha Rodriges, duke përgatitur terrenin edhe për një rotacion kundër Naftëtarit.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"