Apolonia shfryn në derbi, Bylisi shëtit në Fier dhe lë Bellain pa fjalë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2024 | 13:07

Apolonia shfryn në derbi, Bylisi shëtit në Fier dhe lë Bellain pa fjalë

Apolonia shkëlqen në derbi duke shpartalluar Bylisin që me Superioren në “xhep” u duk sikur kishte ardhur për shëtitje në stadiumin “Loni Papuçiu”.

apolonia duke festuar golin e Umejeigos

Gjithsesi nuk duhet mohuar merita e fierakëve që triumfuan në shifrat 4-1 ndaj ballshiotëve, duke siguruar një trepikësh të rëndësishëm për arritjen e katërshes së parë. Ndeshja u dominua nga vendësit, të cilët ishin në ditën e tyre më të mirë. Serinë e golave e hapi sulmuesi Umejiego në minutën e 45-të, më pas në të 64’ gjeti rrugën e rrjetës sulmuesi Trifoni, për të vijuar me sulmuesin Maksuti në të 71-tën. Të pandalshëm ishin fierakët, të cilët shënuan edhe golin e katërt në minutën e 87-të, me autor mesfushorin Omeri, i cili ekzekutoi perfekt 11-metërshin e fituar nga Maskuti. Në minutën e dytë shtesë Bylisi shënoi golin e nderit me penallti nga Xheferson.

NDESHJA- Skuadrat e nisin qetë takimin. Me kalimin e minutave Xhonatan Lajthia dhe Maksuti vënë në provë portierët respektiv, por goditjet e tyre nuk kanë forcën e duhur. Apolonia del gradualisht në sulm dhe një kombinim i shkëlqyer Bejzade–Umejiego sjell golin e avantazhit në fund të pjesës së parë, ku afrikani nuk gabon. 1-0 ishte rezultati final i pjesës së parë. Edhe me fillimin e fraksionit të dytë fierakët dominojnë në mesfushë dhe janë më të rrezikshëm në sulm. Pas lojës së bukur dhe qarkullimit të mirë të topit, Apolonia gjen golin e dytë në minutën e 64-t. Mbrojtësi Asllanaj driblon këdo që i del përpara, depërton me shpejtësi brenda në zonë dhe në fund asiston për sulmuesin Trifoni, i cili gjuan mjeshtërisht me të majtën dhe topi përfundon në cepin e portës, 2-0. Pas 7 minutash Apolonia gjen edhe golin e tretë.

Sulmuesit UmejiegoMaksuti gjejnë mjaft mirë njëri-tjetrin, me këtë të fundit që i drejtohet me shpejtësi portës, gjuan fort me të majtën dhe topi përfundon në rrjetë, 3-0. Pavarësisht epërsisë së trefishtë, fierakët nuk i ndalin sulmet e tyre dhe në minutën e 87-të fitojnë një 11- metërsh. Mesfushori Stefano Omeri tregohet i saktë nga pika e bardhë dhe 4-0. Pati kohë edhe për një gol tjetër, veçse këtë herë është Bylisi, ai që shënon golin e nderit. Sulmuesi Kibe Xheferson ekzekuton perfekt 11-metërshin, por Bylisi “turpërohet” në Fier. Apolonia arrin një fitore të rëndësishme, me synim katërshen e parë në renditje, ndërsa Bylisi distancohet me 3 pikë nga Elbasani kryesues.

BELLAI- Trajneri i Bylisit, Arian Bellai, ka mbetur pa fjalë pas humbjes me Apoloninë. Trajneri Bellai pas përfundimit të ndeshjes është larguar nga stadiumi pa u prononcuar për mediat.

gsdgg

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"