Apolonia përgatitet për sezonin e ri, Hebeja: Rivalët kanë investuar shumë, por mos na neglizhoni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2023 | 12:21

Apolonia përgatitet për sezonin e ri, Hebeja: Rivalët kanë investuar shumë, por mos na neglizhoni

Janë i vetmi ekip që nuk kanë bërë afrime, por tek Apolonia nuk shqetësohen. Besojnë se deri në limite do të vijnë 4 përforcimet e premtuara dhe do të jenë më shumë se gati për të nisur garën. Këtë e thotë edhe Rubin Hebeja, gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”. E pranon që do të jetë një kampionat i vështirë dhe se të gjitha skuadrat janë investuar për të arritur elitën, por edhe ekipin e tij e sheh në lojë.

hebeja

Po mbyllet java e pestë e përgatitjeve, si ka ecur faza?
Faza përgatitore ka shkuar e po shkon shumë mirë. Ne po marrim ngarkesat e duhura me kushtet më optimale për të përballuar kampionatin.

Keni zhvilluar tri miqësore dhe të gjitha i keni humbur. Pse dhe si kanë ardhur këto disfata?
Pikësëpari, ne kemi luajtur me kundërshtarë që kanë pasur afro një muaj më shumë përgatitje dhe gjithashtu kanë zhvilluar më shumë miqësore sesa ne. Mirëpo, nga ndeshja në ndeshje kemi pasur përmirësim, plus na duhet edhe pak më shumë kohë që të përshtatemi plotësisht e saktësisht me idetë e trajnerit spanjoll. Pavarësisht rezultatit që nuk ka qenë në favorin tonë, ne kemi bërë paraqitje të mira në tërësi, me ritëm e intensitet të lartë, por edhe në disa momente të rëndësishme na ka munguar fati.

Çfarë mund të kishte bërë më mirë e më shumë skuadra?
Skuadra duhet të shfrytëzojë më mirë rastet e krijuara për shënim, sepse kanë qenë të shumta, por kjo do të arrihet dita-ditës. Kujtojmë se në dy ndeshjet e para, ishim disi larg golit, por në miqësoren e fundit ishim shumë mirë dhe shënjestra jonë goditi në shenjë, me dy gola shumë të bukur. E sigurt, që këtej e tutje, gjithçka do të vijë duke u përmirësuar dhe Apolonia do të jetë gati për startin e kampionatit.

Jemi vetëm 8 ditë larg startit të Kategorisë së Parë. A është vërtet gati Apolonia?
Unë besoj se do të jemi gati për startin. Këto ditë të mbetura do të na shërbejnë për të përgatitur më së miri ndeshjen e parë deri në detajet më të vogla. Luajmë në transfertë ndaj Lushnjës dhe duhet të japim më shumë se 100%. Ju herë luani në mesfushë e herë në mbrojtje.

Ku ndiheni më mirë?
Roli im i parë është mesfushor qendre, por jam i gatshëm të luaj edhe aty ku i nevojitet ekipit. Kudo jap maksimumin tim dhe mundohem të kryej me përpikëri detyrat e trajnerit.

E shikoni si më të vështirë këtë sezon të ri?
Konkurrenca sa vjen e shtohet. Duke parë ekipet e tjera që janë forcuar shumë, besoj se sezoni i ri do të jetë më i vështirë. Shumë ekipe do të kërkojnë njëherazi ngjitjen në elitë. Ne e dimë forcën tonë dhe e shohim veten në këtë garë.

Cilët janë rivalët tuaj?
Të gjitha skuadrat me të cilat do të ndeshemi janë rivalët tanë kryesorë. Nuk ka më ekipe të forta e të dobëta, unë mendoj se jemi të gjithë njësoj dhe me mundësi reale për arritjen e objektivave madhore.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"