“Apolonia mbijeton, Dovedan solli personalitet”, ish-trajneri Miho kundër rrymës: Nuk ka nevojë për… merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2022 | 10:11

“Apolonia mbijeton, Dovedan solli personalitet”, ish-trajneri Miho kundër rrymës: Nuk ka nevojë për… merkato

Apolonia është “zg juar” më në fund. Autokritika e fierakëve vërehet në dy transfertat e fundit, ku mundën Besëlidhjen dhe barazuan me Luzi 2008. Me 4 pikë të marra, mund të marrin frymë lirshëm në mbyllje të këtij viti kalendarik. I këtij mendimi është edhe ish-trajneri Marjol Miho. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport” ai evidenton se ringritja ka nisur tashmë dhe me bindje e thotë që as nevojë për merkato nuk kanë. Vlerëson punën e bërë nga Veljko Dodevan në kaq pak kohë, që sipas tij u ka kthyer personalitetin lojtarëve.

Miho

 

Katër pikë në dy transfertat e fundit. Mos është “zgjuar” pak si vonë Apolonia?

Më mirë vonë se kurrë. Janë dy rezultate shpresëdhënëse, për më tepër të marra në transfertë. Fierakët po luajnë më mirë, madje janë më të qetë psikologjikisht. Mungesa e rezultateve pozitive i vuri mjaftueshëm në vështirësi, mirëpo ardhja e trajnerit të ri ka ndryshuar shumëçka. Ende janë në lojë për objektivin madhor, por së pari duhet të sigurojnë mbijetesën në këtë kategori. Ndeshjet merren një e nga një dhe në javën e fundit bëhen llogaritë përfundimtare.

Pavarësisht rezultateve pozitive në këto 180 minuta, nuk i janë larguar përfundimisht fundit. E shihni më afër mbijetesës apo më lart në renditje?

Të tregohem i sinqertë, Apolonia nuk e diskuton mbijetesën pavarësisht luhatjeve nga java në javë. I qëndroj mendimit tim se dy rezultatet e fundit do të ndryshojnë situatën e bardhejeshilëve.

Sa meritë ka Veljko Dovedan në këtë kthesë?

Patjetër që ka meritë. I ka dhënë efektet trajneri i ri. Me Veljko Dovedan, këta lojtarë fituan një personalitet. Dhe mendoj se është vetëm fillimi, pasi do të shtohet doza në vijim. Një skuadër që ka autoritet në fushë, sigurisht që do të ketë edhe rezultate.

Si e vlerësoni ecurinë në këto 12 javë?

Ka kaluar thuajse gjysma e kampionatit dhe Apolonia ka grumbulluar shumë pak pikë, aq sa rrezikon mbijetesën në këtë kategori. Skuadra fierake e ka vështirësuar vetë rrugëtimin e saj duke lënë shumë pikë në “Loni Papuçiu”. Sigurisht që nuk duhet të ishte fare në këtë pozitë, mirëpo kjo është e vërteta e hidhur që duhet ta pranojnë të gjithë.

Çfarë i mungon Apolonisë që ka shfaqur kaq shumë luhatje?

Personalisht mendoj se Apolonia është në një tranzicion ndërthurjeje midis brezave. Nuk është krijuar asnjëherë mesi i artë mes eksperiencës dhe talentit. Përpos luhatjeve, dy rezultatet e fundit në transfertë janë shpresëdhënëse. Jo vetëm për pikët e marra, por edhe lojën e zhvilluar. Kam parë një ekip tërësisht ndryshe. Shfaqën më shumë dëshirë, grintë dhe agresivitet në fushën e lojës.

A e shihni domosdoshmëri ndërhyrjen në merkaton e janarit?

Jo, dhe e them këtë me bindje të plotë.

Pse mendoni kështu?

Për mua Apolonia ka një grup të rinjsh që u duhet dhënë besim dhe më shumë kohë për të bërë më mirë. Puna sistematike me ta do të sjellë shumë shpejt rezultatet e duhura, madje dhe në këtë kategori të vështirë e konkurruese nga java e parë e deri në javën e fundit.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"