Apolonia luan të parën në shtëpi, Rodriges fton tifozët: Festojmë me ju

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2023 | 12:01

Apolonia luan të parën në shtëpi, Rodriges fton tifozët: Festojmë me ju

Apolonia e ka nisur në mënyrë per fekte sezonin, duke siguruar pikë të plota pas dy ndeshjeve të para. Fitorja me dy skuadra të forta si Lushnja dhe Korabi kanë shtuar besimin te fierakët, të cilët për javën e tretë do të presin Besën në stadiumin “Loni Papuçiu”.

rodriges

Ky start i mirë ka zgjuar edhe interesimin e tifozëve, që pritet të jenë të shumtë në numër. Kjo është ndeshja e parë në shtëpi dhe natyrisht që trajneri spanjoll, Jeraj Rodriges, kërkon që skuadra të vijojë ecurinë pozitive. Ai është i lumtur dhe shumë entuziast para ndeshjes të parë në “Loni Papuçiu” dhe në intervistën për “Panorama Sport”, bëri të ditur se pret tri pikët e radhës nga skuadra.

Dy fitore radhazi, por çfarë kishte ndryshe ndeshja ndaj Korabit?
Fitorja ndaj Korabit ishte shumë çliruese. Nuk ka qenë aspak e lehtë për ne. Ka qenë një ndeshje shumë e luftuar, por skuadra bëri mirë. E gjetëm shumë shpejt rrugën e rrjetës dhe e mbajtëm larg kundërshtarin, duke mos na rrezikuar. Ishte fitorja e dytë radhazi në transfertë dhe kjo nuk është pak. Megjithatë, ky është vetëm fillimi i kampionatit, por ne kemi ende rrugë të gjatë përpara.

Apolonia nuk arrinte të bënte dot dy fitore radhazi në transfertë prej kohësh. Është ky fakt një motiv më shumë për vazhdimësinë dhe shtimin e besimit në skuadër?
Vërtet ishin dy fitore të jashtëzakonshme në transfertë, por shumë të vështira për t’u arritur, sepse kemi pasur përballë dy kundërshtarë seriozë si Lushnja dhe Korabi. I përgëzoj publikisht djemtë dhe më kryesorja i admiroj për ambicien e madhe dhe mentalitetin e duhur që kanë. Pikërisht këtë kam dashur që në fillim, të kemi mentalitet fituesi, por nuk duhet të ndalemi këtu. Ne duhet të vijojmë me ecurinë pozitive në kampionat, të mbajmë larg euforinë e momentit dhe të përqendrohemi te ndeshja e radhës.

Tani prisni Besën në stadiumin “Loni Papuçiu”. Si kanë shkuar përgatitjet për këtë përballje të radhës në kampionat?
Prej mëngjesit të së enjtes ne kemi nisur përgatitjet anti-Besa. Po punojmë pak a shumë me të njëjtin ritëm, ndonjëherë edhe pak më shumë se herët e tjera para këtyre ndeshjeve. Nuk duhet të ulim aspak ritmin e përgatitjeve. Gjithmonë ka vend për përmirësim, veçanërisht në mënyrën e lojës, por më kryesorja është të besojmë se mund të bëjmë më mirë nga ndeshja në ndeshje.

Cili është objektivi i Apolonisë në këtë takim?
Të japim maksimumin tonë për të marrë rezultatin e radhës pozitiv. Këtë herë kemi një arsye madhore për të synuar pikët e plota dhe ajo është pikërisht prania e tifozëve fierakë në shkallët e stadiumit.

Jeni në presion për rezultatin maksimal, duke qenë se pozicionoheni në vendin e parë dhe do të luani për herë të parë në shtëpi?
As presion për fitoren, as në eufori për vendin e parë, por jemi maksimalisht të mobilizuar për të vijuar ecurinë pozitive në kampionat. E rëndësishme është të bëjmë lojën tonë dhe të fokusohemi vetëm te kjo ndeshje. Të gjitha takimet kanë rëndësinë e tyre, veçse duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të përulur.

Si po e prisni debutimin në Fier dhe a keni një thirrje për tifozët e Apolonisë në prag të kësaj ndeshjeje të parë?
Jam i lumtur dhe njëkohësisht shumë entuziast për këtë ndeshje të parë zyrtare në stadiumin “Loni Papuçiu”. Uroj që tifozët fierakë të jenë të shumtë në shkallët e stadiumit dhe të jenë krenarë për djemtë e rinj fierakë. Të gjithë bashkë të besojmë për fitoren e parë në Fier.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"