Apolonia, leksion Lushnjës. Ja çfarë deklaruan trajnerët Rodriges dhe Magani pas derbit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2023 | 17:21

Apolonia, leksion Lushnjës. Ja çfarë deklaruan trajnerët Rodriges dhe Magani pas derbit

Apolonia është e pa përmbajtshme, i jep leksion edhe Lushnjës. Nëse në fazën e parë i shënoi 3 gola, dje i bëri 4. Një start perfekt i fazës së dytë për fierakët, që vazhdojnë t’i ushtrojnë presion Elbasanit për vendin e dytë. Në “Loni Papuçiu”, derbi foli për të besuarit e Jeraj Rodriges.

apol

RODRIGES

“S’u dorëzuam, ditëm që të reagonim”

Jeraj Rodriges vlerëson paraqitjen e skuadrës së tij dhe mbi të gjitha reagimin. Pas ndeshjes, numri një i pankinës fierake tha: “E nisëm me këmbën e mbarë këtë fazë të dytë, por personalisht mendoj se bëmë thjesht detyrën. Në stadiumin ‘Loni Papuçiu’, ky është rezultati i vetëm që unë pres. Ishte një ndeshje e rëndësishme dhe e luftuar, ndaj u gëzohem pikëve dhe lojës së zhvilluar. Për mua ka qenë dhe është primare të ruajmë këtë ecuri rezultatesh pozitive. Pësuam një gol të shpejtë, i cili na vuri pak në vështirësi, por ne reaguam shumë shpejt dhe më së miri. Ndeshje pas ndeshjeje, po tregojmë grintë, dëshirë, vullnet e ambicie. Gjithmonë ka vend për përmirësim, por grupi i lojtarëve është i bashkuar dhe po funksionon siç duhet. Festa është tërësisht legjitime, por vetëm sot. Nga nesër duhet të mendojmë gjerësisht për Korabin. Falënderoj edhe ata tifozë që sfiduan reshjet e dendura të shiut”.

Magani e kalon në heshtje

Gugash Magani priste gjë tjetër nga ky derbi, por shkoi si mos më keq. Lushnja e tij u mund në shifrat 4-1, në një kohë që llogaritë po bëheshin me fitoren dhe përmirësimin e pozitave në renditje. Zhgënjimi dhe trishtimi pas kësaj humbjeje të thellë, e la pa fjalë trajnerin pas ndeshjes. Edhe pse gazeta priti një deklaratë prej tij, trajneri shkurtimisht tha: “Më falni, por nuk kam asnjë koment a deklaratë pas kësaj ndeshjeje”. Një fjali që nënkupton hapur mërzinë.

HILMI SALIU -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"