Apolonia kërkon përforcime në çdo repart, dy të huaj zgjasin afatin e kontratave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2024 | 13:40

Apolonia kërkon përforcime në çdo repart, dy të huaj zgjasin afatin e kontratave

Apolonia pritet që të përfshihet ndjeshëm në merkaton e verës dhe mësohet se drejtuesit fierakë po studiojnë me kujdes tregun vendës dhe të huajt. Është thënë se do të ketë afrime cilësore, që skuadra të përforcohet për të arritur objektivin madhor në përfundim të edicionit 2024-2025.

apolonia

Qëndrimi për herë të katërt radhazi në Kategorinë e Parë, por edhe riformatimi i ekipit kërkon investime për të qenë konkurrues dhe paraqitur me dinjitet. Në Fier e kanë të qartë këtë, për më tepër që këtë herë edhe pretendimet nuk i kanë të vogla. Burime zyrtare pranë klubit fierak, pohojnë se në skuadër do të ketë ndërhyrje në të gjitha repartet, duke nisur nga porta deri në sulm. Për këtë arsye, drejtuesit janë “all-in” në merkato. Mësohet, se këta të fundit kanë pasur takime me lojtarë të të gjitha roleve. Duke nisur me portier, mbrojtës, mesfushorë dhe sulmues.

Kjo gjë tregon se përforcimet e skuadrës pritet të ndodhin në të gjitha rolet, edhe pse për momentin nuk është lakuar asnjë emër. Deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar dhe gjasat janë që kështu të jetë edhe për pak javë. Nëse merkato është në vendnumëro, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për të rinjtë e perspektivës. Apolonia ka arritur të nënshkruajë kontrata afatgjata me dy talente të huaj, njëri nga Nigeria dhe tjetri nga Kenia. Bëhet fjalë për mesfushorin Albashir Musa, i cili ka luajtur fillimisht me skuadrën U-19, më pas me U-21 dhe në muajt e fundit u aktivizua si titullar me ekipin e parë. Gjithashtu ka rinovuar edhe mesfushori 18-vjeçar, Kevin Injeh. Ky i fundit shihet si një premtim i madh në Fier dhe dallohet për teknikën e lartë, por edhe shkathtësinë.

 

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"