Apolonia humbet “in ekstremis”, trajneri Rodriges ka merak shpërqendrimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2023 | 21:51

Apolonia humbet “in ekstremis”, trajneri Rodriges ka merak shpërqendrimin

Apolonia po u jep dorën e fundit përgatitjeve për javën e 10-të. Udhëtojnë në FushëKrujë nesër, atje ku i pret Kastrioti. Një përballje që për fierakët konsiderohet si shumë e rëndësishme, pasi një fitore mund ta ringrejë në vendet e para. Veç ushtrimeve klasike, ekipi zhvilloi edhe një minindeshje kontrolli. Për t’u theksuar është se kjo ishte prova e dytë gjenerale brenda pak ditësh.

APOLONIA

Trajneri po mundohet që të korrigjojë një “defekt” dhe i ka mëshuar ndjeshëm në seancat e këtyre ditëve. Shpërqendrimi në minutat e fundit po e shqetëson. Kjo u përforcua kundër Bylisit, që i kushtoi atë humbje në shtesë. Jeraj Rodriges ka dhënë udhëzime të qarta për të tijtë, që të tregojnë shumë kujdes në fundin e sfidës dhe të mbajnë sa më larg të jetë e mundur kundërshtarin nga zona e tyre.

Spanjolli është munduar të punojë edhe nga ana taktike në këtë pjesë, më konkretisht te mbulimi i rreptë i hapësirave në prapavijë. Kujtojmë se dy humbjet e vetme të Apolonisë kanë ardhur pikërisht në minutat e fundit, ajo me Elbasanin në minutën e 96-të dhe kjo e fundit me Bylisin në të 94-ën. Pësimi i një goli “in extremis” mund të kthehet problem, nëse përsëritet.

DILEMAT – Apolonia shkon me mungesa të rëndësishme në javën e 10-të. Spanjolli ka filluar të skicojë formacionin anti-Kastriot, ndërsa i kanë prishur jo pak planet qendërmbrojtësi Serjan Repaj dhe sulmuesi Umejiego Antoni, të cilët janë të pezulluar prej kartonëve. Duke parë këto mungesa dhe gjendjen jooptimale të mesfushorit Yasin Umar Rajab, Rodriges po mundohet t’i paraprijë gjithçkaje. Trajneri është duke menduar kalimin nga një rreshtim 4-3-3 që ka pasur më së shumti këtë kampionat në skemën 4-4-2, për të pasur më shumë alternativa dhe mundësi zgjedhjeje.

Apolonia bën pjesë tek ato skuadra që ende nuk e ka të kristalizuar formacionin, edhe për shkak se disa lojtarë kanë ende probleme fizike dhe nuk mund të përballojnë 90 minuta të plota. Në këtë aspekt, ka ende dyshime se cilët do të jenë titullarët që do të zbresin në fushë. Dilemat e vetme duket se janë në krahun e majtë të mbrojtjes. Asllanaj do të kalojë në qendër me Ndubuisin, ndërsa majtas si alternativë mund të luaj Topi ose Gjata. Në sulm ka më shumë qetësi dhe alternativa.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"