Apolonia “firmos” vetëm për tre pikët në Luz, trajneri Rodriges: Çdo ndeshje është finale, nuk mund të gabojmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2023 | 10:10

Apolonia “firmos” vetëm për tre pikët në Luz, trajneri Rodriges: Çdo ndeshje është finale, nuk mund të gabojmë

Apolonia luan sot në orën 14:00 një transfertë delikate kundër Luzit. Në një intervistë enkas për “Panorama Sport”, trajneri spanjoll, Jeraj Rodriges, deklaron se u kënaqet vetëm tri pikëve në këtë takim. Ai theksoi se skuadra është në formë shumë të mirë dhe tani çdo përballje duhet të shihet si një finale.

Rodriges

Mister, pushimi dyjavor dhe rotacioni i mesjavës në Kupë ndaj Naftëtarit, sa e ka ndihmuar Apoloninë para ndeshjes kundër Luzit?

Na kanë ardhur në ndihmë jashtëzakonisht dhe më së shumti për të punuar në aspektin fizik, herë në palestër dhe herë në fushë. Nuk kemi lënë pas as anën tekniko-taktike, pasi gjatë këtyre ditëve jemi munduar të përmirësojmë disa manovra loje, por edhe kemi provuar detaje të reja. Si përfundim, ky pushim dyjavor ka qenë si një periudhë rifreskimi dhe reflektimi për ne.

Të dielën (sot) përballeni me Luzin 2008 në transfertë. Çfarë prisni nga ky takim?

Në fakt është një ndeshje delikate, pasi përballë kemi Luzin, që edhe pse pozicionohet në fundin e tabelës, është një ekip që të vendos mjaft në vështirësi. Megjithatë, ne jemi munduar të përgatitemi sa më mirë gjatë këtyre ditëve për të qenë në lartësinë e duhur. Pres që në këtë 90- minutësh lojtarët e mi të jenë maksimalisht të përqendruar dhe të fokusuar në lojë. U kënaqem vetëm tri pikëve në këtë transfertë.

E bën më të vështirë apo më të lehtë këtë ndeshje fakti që kundërshtari është në vendin e fundit dhe ka vetëm dy pikë?

Të tregohem i sinqertë nuk i përgatisim kurrë ndeshjet në bazë të pikëve e pozicionit aktual të kundërshtarit në tabelë. Për ne të gjitha ndeshjet janë shumë të rëndësishme dhe vlejnë tri pikë. Nuk ka fare rëndësi, nëse luajmë brenda apo jashtë fushe, apo nëse luajmë me ekipe sipër apo poshtë nesh në renditje. E rëndësishme është që Apolonia të triumfojë kudo, pra të ketë dëshirë, uri e ambicie për të fituar çdo ndeshje kampionati dhe jo vetëm.

Më lart thatë që kënaqeni me vetëm tri pikë në Luz…

Absolutisht që objektivi ynë është fitorja, si në çdo ndeshje tjetër. Jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e kësaj përballjeje, por ne do të jemi inteligjentë nga minuta e parë e deri në sekondën e fundit. Të vrapojmë shumë, të punojmë mirë me top dhe pa top, por edhe të dominojmë situatat e ndryshme të lojës. Vetëm në këtë mënyrë jemi në rrugën e duhur për të marrë rezultatin maksimal.

Apolonia është 2 pikë më pak se Elbasani i vendit të dytë dhe 5 nga Bylisi kryesues. E ndieni veten pretendent për ngjitjen në elitë?

Mendoj se është shumë herët të flasim për objektivin madhor, sepse Apolonia i merr ndeshjet një e nga një dhe çdo përballje shihet si një finale. Tani mendojmë vetëm për Luzin dhe nëse arrijmë të marrim rezultatin e radhës pozitiv, atëherë po, kemi hedhur një tjetër hap të rëndësishëm dhe jemi në rrugën e duhur për objektivat tanë.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"