Apolonia “fik” Besën për 6 minuta, afrimet vihen të gjitha në “lupën” e Pashjas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2024 | 11:47

Apolonia “fik” Besën për 6 minuta, afrimet vihen të gjitha në “lupën” e Pashjas

Apolonia “djeg” Besën për 6 minuta. Miqësorja e luajtur të shtunën në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”, është mbyllur në shifrat 2-0.

398594309_846883254101778_5153248923227701556_n

Fierakët fituan vetëm në fund, falë golave të sulmuesit Calice D’or në të 82-ën dhe qendërmbrojtësit Francis Eneh Nduibuisi në të 88-ën. Edhe pse pa trajner në stol dhe pa bërë afrime në merkato, bardhejeshilët po tregojnë stabilitet. Nuk ishin keq as kavajasit, që krijuan volum lojë dhe raste. Finalizimi ka ende nevojë për punë, por nuk iu dha prioritet i madh në këtë test.

PJESA E PARË – Duheshin plot 15 minuta që të “ndizej” loja dhe të regjistrohej aksioni i parë. Fierakët sulmojnë rrezikshëm, por Umejiego nuk finalizon siç duhet me kokë. Organizohen miqtë nga krahët e sulmit dhe në të 20-ën Reçica vendos në provë reflekset e Harizajt. Kavajasit krijojnë “volum” loje dhe provojnë në çdo formë që të gjejnë avantazhin, Bremer për pak sa nuk befason nga 25 metra distancë. Një goditje, që grushton nga portieri. Pati kohë edhe për një rast të fundit të fierakëve në këtë pjesë. Në të 42- tën është Umejiego që gjuan nga 20 metra, por topi kalon ngjitur me shtyllën.

PJESA E DYTË – Pas pushimit vijnë edhe ndërrimet e para nga të dyja skuadrat. Është mundësia e fundit për të testuar grupin, veçanërisht Besa që ka shumë prurje në organikë dhe elementë në provë. Në të 50-ën Nurja harkon bukur në shtyllën e parë për Hyseni, që has në rezistencën e Harizaj. Shpëtimtar bëhet edhe Repaj në të 56-ën, kur Shurdhiçi devijon një top të fortë me kokë. Pas këtyre dy rasteve të njëpasnjëshme të miqve, vendësit zgjohen dhe hanë “inat” për golin.

Në minutën e 64-t, Gjata asiston perfekt mes linjave për Umejiegon, i cili depërton me shpejtësi brenda në zonë. Në fund gjuan fort me të djathtën, por topi “qeth” vetëm traversën e më pas del jashtë. Pas këtij rasti, fierakët morën edhe më shumë zemër dhe në të 82-ën godasin në shenjë. Shanaj hedh një top të gjatë pas krahëve të qendrës së mbrojtjes duke nxjerrë krejtësisht të lirë Calice, i cili driblon edhe portierin e Besën dhe me portën e boshatisur shënon. Pas vetëm gjashtë minutash, fierakët gjejnë edhe të dytin. Rakipaj fiton një këndore dhe po vetë merr përsipër harkimin në zonë. Gjen mjeshtërisht Ndubuisi, i cili është i harruar brenda në zonë dhe me të djathtën e dërgon topin në rrjetë. Kaq mjaftoi për Apoloninë, që bind edhe në miqësoren e dytë.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"