Apolonia eliminoi Luzin, flasin dy trajnerët/ Rodriges: Skuadra më bindi. Ferraj: Na vlejti për lojtarët e rinj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2023 | 15:25

Apolonia eliminoi Luzin, flasin dy trajnerët/ Rodriges: Skuadra më bindi. Ferraj: Na vlejti për lojtarët e rinj

Apolonia ka mundur Luzin 2008 me rezultatin e ngushtë 2-1, duke arritur të kualifikohet në turin e katërt të Kupës së Shqipërisë, aty ku do të gjejë Partizanin kampion në fuqi të vendit. Pas ndeshjes për “Panorama Sport” u shprehën trajnerët e të dy ekipeve:

apolonia

Trajneri i Apolonisë

Rodriges: Skuadra më bindi

Trajneri i Apolonisë, Jeraj Rodriges, e sheh kualifikimin në kupë si vazhdimësi të paraqitjes bindëse të ekipit. “Zhvilluam një pjesë të parë shumë të mirë. Në pjesën e dytë e ulëm disi ritmin, por në tërësi jam i lumtur me lojën që bëmë dhe rastet që krijuam. Të gjithë lojtarët që u aktivizuan patën mentalitetin e duhur për të triumfuar. Ia dolëm, pavarësisht plot shtatë ndryshimeve në formacion. Jam krenar për të gjithë lojtarët. Më duhet të theksoj se e përfunduam ndeshjen me tri lojtarë nga U-19. Morëm një fitore vazhdimësie, me grupin që luftoi dhe besoi. Kështu rriten edhe më shumë individualisht, e natyrisht kolektivisht”, ka thënë spanjolli për “Panorama Sport”.

Trajneri i Luzi 2008

Ferraj: Na vlejti për lojtarët e rinj

Nertil Ferraj drejtoi dje Luzin, ndërsa pas ndeshjes theksoi për “Panorama Sport”, se lojtarët e rinj bënë një performancë të mirë. “Të tregohem i sinqertë, duke pasur parasysh kampionatin, u menduam t’i japim më shumë minuta lojtarëve që kanë pasur pak hapësirë në ndeshjet e deritanishme. Le të themi që Kupa ishte në plan të dytë për ne, por gjithsesi, jam i kënaqur me paraqitjen e ekipit. Edhe mund të kishim bërë më mirë, veçanërisht me rastet që krijuam në pjesën e dytë, por nuk ishim të saktë në metrat e fundit. Kjo ndeshje na vlejti vetëm për lojtarët e rinj që kemi, pasi përqendrimi ynë maksimal ka qenë, është dhe do të jetë vetëm për të dielën kundër Bylisit”, deklaroi Ferraj.

HILMI SALIU –PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"