Apolonia e përfshirë e gjitha në merkato, ja “xhevahiret” që priten të shiten gjatë verës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2024 | 17:26

Apolonia e përfshirë e gjitha në merkato, ja “xhevahiret” që priten të shiten gjatë verës

Apolonia është e përfshirë e gjitha në merkato. Klubi fierak kërkon të menaxhojë sa më mirë “xhevahiret” që ka në ekip, për të cilët ka investuar dhe tani kërkon të përfitojë financiarisht. Burime zyrtare në klub bëjnë me dije për “Panorama Sport”, se dy prej tyre kanë pasur vëzhgues specialë në ndeshjen e “play off”-it kundër Flamurtarit, ku Apolonia u eliminua me penallti.

apolonia

Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin Serjan Repaj dhe mesfushorin Mateo Shanaj, të cilët ishin në fokusin e përfaqësuesve të dy klubeve të Superiores. Ndonëse mbahen të fshehtë se kujt skuadrave u përkasin, për shkak se kemi të bëjmë thjesht me një interesim, kanë pasur mundësinë të shohin nga afër dy lojtarët fierakë dhe kanë mbajtur shënimet përkatëse. Ende nuk flitet për oferta konkrete në klub për Repajn dhe Shanajn, por është e konfirmuar se interesimi për ta nuk është vetëm nga klube të elitës, por edhe skuadra që militojnë në Kategorinë e Parë. Gjatë sezonit, në ndeshjet më të forta që ka pasur Apolonia, në stadium ka pasur vazhdimisht zbulues talentesh, kryesisht të klubeve të Superiores.

Presidenti Koço Kokëdhima do të vlerësojë me kujdes të gjitha ofertat, për të vendosur më pas se cili largim mund të jetë në interes të klubit fierak. Kujtojmë, që vetëm pak muaj më parë Apolonia shiti mesfushorin me tipare sulmuese Davarel Diambomba Mouandza në Arabinë Saudite. Nuk janë vetëm Repaj dhe Shanaj emrat e lakuar në merkaton në dalje të Apolonisë. Dy titullarë të tjerë që mbeten në treg janë portieri njëkohësisht kapiten Romeo Harizaj dhe sulmuesi Erald Maksuti, të cilët janë vëzhguar në ndeshje të ndryshme nga përfaqësues klubesh vendase. Apolonia pritet të arkëtojë të ardhura të konsiderueshme nga shitja e këtyre lojtarëve. Edhe qendërmbrojtësi Ndubuisi Francis Eneh konsiderohet një “xhevahir”, që mund të gjenerojë të ardhura për klubin, duke ditur që fierakët kanë në zotërim 100% kartonin e nigerianit.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"