Apolonia e bën “sefte” në miqësore, trajneri spanjoll analizon: Kemi gabuar në metrat e fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2023 | 12:05

Apolonia e bën “sefte” në miqësore, trajneri spanjoll analizon: Kemi gabuar në metrat e fundit

Apolonia e bën “sefte”. Pas tri humbjeve, fierakët marrin fitoren e parë në miqësore. Kundërshtar në “Loni Papuçiu” kishin Labërinë dhe gjithçka u vendos nga goli i Mateo Shanaj. Edhe pse rrjeta erdhi shumë vonë, kjo ndeshje u dominua tërësisht nga bardhejeshilët.

Apolonia

Që në minutat morën kontrollin e lojës dhe ushtruan presion të vazhdueshëm, e megjithatë Maksuti u ndal nga shtylla dhe Antoni hasi rezistencën e portierit në dy kohë. U dhanë sinjalet që vendësit do të kërkojë me ngulm golin e avantazhit, por as Repaj me Hebejan nuk e gjejnë dot për këtë pjesë. Edhe pas pushimit, janë fierakët ata që menaxhojnë gjithçka. Vetëm në 60-ën shfaqen labët me Kaion, që vendos në vështirësi Harizajn. Gjuajtje shumë e fortë e brazilianit, por portieri grushton. I pari moment shpërqendrimi në prapavijën fierake, ndaj numri një i pankinës fierake u bën thirrje të kenë kujdes. Reagimi qe i menjëhershëm, me mesfushorët fierakë që qarkullojnë dendur topin dhe krijojnë aksione të gjata.

Ndihej presioni i mungesës së golit në radhët e lojtarëve fierakë, por vetëm në minutën e 80-të do të çliroheshin njëherë e mirë. Topi fiton një faull në mesin e fushës, po vetë merr përsipër harkimin në zonë dhe aty gjen me pak fat sulmuesin Maksuti. Ky i fundit fillimisht stopon topin e më pas asiston perfekt për mesfushorin Shanaj, i cili gjuan fort me të djathtën duke e mposhtur Mullerin. Frymëmarrje për Apoloninë, të cilët vuajtën shumë në finalizim. Minutat e mbetura nuk sollën asgjë të re, me vendësit e miqtë që kryejnë shumë zëvendësime e rrjedhimisht u ul ritmi i lojës.

TRAJNERI – Jeraj Rodriges i kënaqet lojën, ndonëse disa defekte i pa edhe këtë herë. Pas miqësores, trajneri i Apolonisë tha: “Në tërësi ka qenë një ndeshje e mire. Ne ishim dominues në pjesën më të madhe të lojës, por disa herë edhe në presionin e kundërshtarit. E vërtetë që kemi pasur kontrollin e topit, por shumë herë nuk kemi qenë vertikal dhe të saktë në metrat e fundit. Kështu i kemi pasur të vështirë pasimet e fundit, por ne u përmirësuam në pjesën e dytë”.

APOLONIA–LABËRIA 1-0
GOLI: Shanaj 80’

APOLONIA: Harizaj, Asllanaj, Ndubuisi, Repaj, Topi, Orelesi, Shanaj, Hebeja, Rakipaj, Maksuti, Antoni;
(Në dispozicion: Bushi, E.Gjata, Kalus, Kaçanolli).
Trajner: Jeraj Rodriges

LABËRIA: Muller, Kolila, Vitor Souza, Bocaj, Gjipali, Fejzo, Ballaj, Llojaj, Haruni, Kaio, Elmazaj;
(Në dispozicion: Lucas, Kardhashi, Varfi, Çaushaj, Tare, Velaj).
Trajner: Taulant Kuqi

GJYQTARË: O.Çela (Lushnjë), E.Mehmetaj, Sh.Shehu (Fier)
KARTON I VERDHË: Hebeja 45’

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"