Kombëtarja “ndërkombëtare” e Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2023 | 20:30

Kombëtarja “ndërkombëtare” e Shqipërisë

Nga BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

7 ndeshje, 5 fitore, 1 barazim, vetëm 1 humbje. Është viti futbollistik fatthënë 2023. Prej tyre, 6 ndeshje i përkasin kampionatit europian, këtij “GJERMANI 2024”. Dhe që fitohen radhazi 4 prej tyre, duke i ndërhyrë në mes vetëm 1 barazim, kjo ndodh për herë të parë në historinë e pjesëmarrjeve të Shqipërisë në ndeshjet kualifikuese eurobotërore.

Përsëris: për herë të parë në 5 ndeshje rresht të kampionatit të Europës, Shqipëria ka fituar 4 dhe ka barazuar vetëm 1. Është një sensacion i vërtetë. Këto rezultate të duket si të ishin të kombëtareve të Anglisë, Francës, Gjermanisë apo të Spanjës! Çfarë ka ndodhur kështu krejt papritmas me këtë Shqipëri të sportit më popullor që është futbolli, një Shqipëri krejt modeste në të gjitha fushat e jetës së saj tejet problematike? Kujtoni ndeshjet.

Dhe siç kam shkruar po në këtë gazetë në temën paraardhëse, po të bëja një portret të shpejtë të ndeshjeve të kësaj Kombëtareje, po aq do të ritheksoja, kolektivitet mbi të gjitha, gola spektakolarë, qëndrueshmëri morale e fizike e pashembullt, gjakftohtësi, prakticitet i një mendimi racional si asnjëherë tjetër, mosdorëzim edhe në çastet më të vështira, modesti e futboll i pafjalë, një futboll modern që e bind topin e rrumbullakët që “pa bëza” të dëgjojë “urdhrat” e lojtarëve. Dhe ja që papritmas shkoj te ndeshja miqësore me Bullgarinë, me të cilën, ashtu si me Poloninë e Çekosllovakinë, nuk kishim fituar prej më se 70 vjetëve asnjë ndeshje.

E çmoj fort këtë miqësore. E çmoj fort, sepse trajneri brazilian Silvinjo aktivizoi plot 7 lojtarë të tjerë. Dhe kjo vetëm 5 ditë mbas fitores së bujshme me Çekinë. Këta “të rinj” ishin Strakosha, Mihaj, Veseli, Balliu, Laçi, Uzuni, Çuni! As kjo nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë: që Shqipëria brenda 5 ditëve të kalojë nga një Kombëtare titullare në një Kombëtare të re të 7 “të rinjve”, duke fituar përsëri përmes të njëjtit futboll thuajse spektakolar. Në të vërtetë nga këta të shtatë asnjeri nuk është i ri. Madje shumica kanë luajtur me Kombëtaren disa herë. Kjo me përjashtim të 22-vjeçarit Marvin Çuni të Frosinones të Italisë, i cili ishte debutues absolut.

komb

E pra? Shqipëria paska dy Kombëtare? Jo! Ka vetëm 1. Por ka një Kombëtare e cila brenda 5 ditëve në 2 ndeshje të saj aktivizon plot 22 lojtarë dhe stili mbetet po ai, si i përcaktuar më sipër. Pa asnjë rënie, pa asnjë ndryshim të teknikës e taktikës, në kolektivitet e vrull po të njëjtë, e po aq edhe në pasion e përgjegjësi, në nivel të lartë e siguri. Vërtet, çfarë po ndodh kështu? Që Shqipëria dy ndeshje pa përfunduar kualifikimet pothuajse është në finalet e “GJERMANI 2024” të një kampionati të Europës?

Në të vërtetë ka ndodhë diçka krejt “e thjeshtë”, që një trajner brazilian, i cili nuk e njeh Shqipërinë, vjen e sinkronizon, përzgjedh dhe nxjerr në fushën lojës një Shqipëri, kësisoj, që trondit e pakta tri shtete të një futbolli të hershëm të cilësisë më të lartë në Europë, jo rrallë madje deri në lartësitë e Kupës së Botës. Shkoni te historia, ajo të cilët mendohet se Ciceroni e ka përcaktuar si “dëshmitare e kohëve dhe rreze e së vërtetës”.

E, këtë bukuri historike që ndodhi apo që u shfaq përmes futbollit në sportin tonë kombëtar, mbase nuk e di ta shpjegoj fort mirë, ndonëse mundohem fort ta di. Ajo që di është kjo e temës së këtij shkrimi. Temë që na thotë se kjo është një Kombëtare e Shqipërisë, ku bukur 12 lojtarë të saj kanë ardhur tek ajo mbasi më parë kanë veshë fanellat e kombëtareve të shteteve të tjera.

Balliu në 6 ndeshje me Spanjën e 17-vjeçarëve, Ramadani, 1 ndeshje me fanellën e Kosovës së 19-vjeçarëve, Asani 7 ndeshje me 20 dhe 21- vjeçarët e Maqedonisë. Bajrami 56 ndeshje nën fanellën e 15, 16, 18, 19 e 21-vjeçarëve të Maqedonisë, Seferi 20 ndeshje me 17, 18, 19 dhe21-vjeçarët e fanellës së Maqedonisë, e madje 2 ndeshje me kombëtaren e Maqedonisë, Ismajli 10 ndeshje me 21-vjeçarët e Kosovës, e madje 1 ndeshje me kombëtaren e parë të këtij shteti.

Gjimshiti 21 ndeshje me 18, 19, 20 21-vjeçarët kombëtares së Zvicrës, Mitaj 1 ndeshje me 16-vjeçarët e Greqisë, Muja 6 ndeshje me 21- vjeçarët e Kosovës, Daku 13 ndeshje me 21-vjeçarët e Kosovës dhe madje 5 ndeshje me kombëtaren e parë të Kosovës, Ajeti plot 58 ndeshje me kombëtaret e Zvicrës të 15, 16, 17, 18, 19 e 21-vjeçarëve të saj, Veseli 58 ndeshje me Zvicrën 15, 16, 17, 18, 19, 20 e 21- vjeçarëve. Nuk mjafton vetëm një pikë çuditëse. Duhen disa të tilla.

Ky nuk është rast Europian. Është rast Botëror, i cili më tej na thekson se nga 26 lojtarët e grumbulluar për tri ndeshjet e fundit, vetëm 7 i ka lindur futbolli i tokës apo atdheut të Shqipërisë: Hysaj, Uzuni, Çikalleshi, Bare, Muçi, Muja, Kastrati. Por të staxhionuar bukur e mirë në kampionatin kombëtar të Shqipërisë janë vetëm 3: Çikalleshi, Uzuni e Muçi. Kësisoj, kjo është Kombëtare në shumicë me djemfutbollistë të cilët nuk i ka lindur, rritur e formuar ajo.

Po në fund të fundit, a nuk janë të gjithë shqiptarë? E megjithatë, kjo do të thotë se kjo është një Kombëtare “ndërkombëtare”. Çka, po në fund të fundit, përderisa kjo Kombëtare po bëhet gati të shkojë në finalet e kampionatit të Europës, kuptohet qartë se në këtë dukuri kaq origjinale të markës arbënore, ka vetëm të mira. Këtu merr fund tema jonë e sotme.

Herën tjetër, ndoshta do të shkruajmë paksa edhe për një diçka “jo të mirë”. Tash për tash na mbetet vetëm të urojmë skuadrën tonë për këto fitore të bujshme që u shoqëruan edhe me zgjedhjen e presidentit të federatës shqiptare, Armand Duka, në rolin e zëvendëspresidentit të UEFA-s. Edhe kjo ngjet për herë të parë, çka sikur po më pëlqen ta lidh me suksesin e Kombëtares “ndërkombëtare” të Shqipërisë…

PANORAMASPORT.A.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"