Mbrojtja problem, Partizani i dobët psikologjikisht

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2023 | 23:27

Mbrojtja problem, Partizani i dobët psikologjikisht

Nga AGIM CANAJ

canaj

Kisha shumë shpr esë te Partizani dhe pjesa e parë më ekzaltoi pa masë të them të drejtën. Vendosja e skuadrës në mënyrë “të shkurtër”, spostimi i Muratajt si anësor në sulm dhe Rrapaj e Cara që mbështesnin Bintsukën më impresionuan.

Mirëpo problemi i këtij Partizani në të gjitha ndeshjet që ka luajtur në Europë është që ai nuk i bën dot të dyja pjesët e një ndeshjeje njësoj. Ose luan mirë në pjesën e parë, ose në të dytën, por jo për 90 minuta. Është për të ardhur keq, sepse tregon që nuk është maturuar dhe nuk është i fortë psikologjikisht për të arritur në grupe.

PJESA E PARË

Ishte një skuadër që sulmoi me vendosmëri, jashtëzakonisht agresive për topin e parë dhe pavarësisht se linte hapësira të rrezikshme pas, vrapimet e Muratajt, Rrapajt dhe Magete mbulonin mangësitë në fazën mbrojtëse. Astana kishte ardhur qartazi për t’u mbrojtur dhe për të kundërsulmuar, por u gjend e papërgatitur me agresivitetin që shfaqi Partizani. Në këtë pikë të kuqtë duhej të kishin qenë më këmbëngulës pas golit të parë.

Astana e humbi fillin dhe po bënte gabime trashanike, por Partizani ka një problem serioz me golin. Nuk mundet që gjatë pjesës së parë të marrësh 7 goditje këndi, të dominosh aq shumë, ta vësh përfund kundërshtarin pas golit të parë dhe të mos e mbyllësh ndeshjen. Është sforco fizike dhe psikologjike për çdo ekip dhe jo më për Partizanin që, gjithsesi, vetëm 2-3 lojtarë ka që bëjnë diferencën, sepse pjesa tjetër janë mesatarë.

PJESA E DYTË

Goli i pësuar përmbysi gjithçka. Partizani nuk është i fortë psikologjikisht që ta kalojë shpejt goditjen që pësoi. Dakord, ishte gol i papritur, por ke edhe 50 minuta lojë për ta kaluar gjendjen e “shokut”. Jo, Partizani e humbi toruan. Dhe sa për golin, mendoj që është përgjegjësi e portierit në radhë të parë. Është ai që në goditjet standarde organizon mbrojtjen që të vendosen në vendet e tyre, por ama është edhe zot i zonës së 5 metrave.

Aty ai bën “namin” dhe duhet ta dominojë me çdo çmim atë zonë. Nuk ndodhi kështu për fat të keq, sepse mirë që mbrojtësit e nënvlerësuan, por as portieri nuk e shmangu dot. Dhe pse vjen kjo? Sepse është në mentalitetin e ekipeve shqiptare që kalojnë pak minuta sa të “nxehemi” sërish… Jo, nuk është kështu: po ra bilbili hapi sytë mirë dhe bëhu gati se çdo sekondë është një shans i artë, por edhe një rrezik i madh. Mirëpo, nuk e kemi këtë kulturë futbollistike ende…

NDËRTIMI I LOJËS

Nuk i anashkaloj kurrsesi mungesat e rëndësishme të Partizanit, por pjesa e dytë nxori edhe një herë në pah se ka probleme serioze në mbrojtje. Jo, sepse janë të ngadaltë, por sepse edhe nuk ndërtojnë dot aksione si duhet. Aksionet sulmuese duhet të nisin nga mbrojtja, por ata filluan që pas minutës së 60-të me topa të gjatë “të dalë ku të dalë…”

Jo, nuk shkon larg kështu. Duhet mendim, vetëbesim dhe skema të punuara. Diçka ndryshoi me aktivizimin e Taipit dhe vendosjen e Muratajt para mbrojtjes, por prapë skuadra ishte shumë e ngadaltë dhe e lexueshme në sulm. Mba u prishi shumë punë, sepse mund të mbante topin dhe të bënte sponda. Astana, për mendimin tim, nuk ishte e pakalueshme, por duhen lojtarë që mbajnë presionin dhe veprojnë shpejt.

Partizani nuk ishte i shpejtë në pjesën e dytë, përkundrazi. Kjo skuadër është e varur nga Rrapaj dhe nga dy të tjerë, sepse vetëm ata kanë cilësitë, personalitetin dhe forcën fizike për të përballuar 90 minuta në ndeshje si këto. Të tjerët, me gjithë respektin, nuk ishin ende gati në mentalitet dhe në cilësi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"