Stadiumet bosh, për kë luhet futbolli në Shqipëri?!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2022 | 20:09

Stadiumet bosh, për kë luhet futbolli në Shqipëri?!

U bënë disa javë që ndodhin gjëra të çuditshme në futbollin tonë. Janë ngjarje që ndodhin shpesh, por në Shqipërinë që ngryset me çmimin më të lartë të karburanteve dhe gdhihet me ankthin e fashës 800 KW të energjisë elektrike, “bëmat” në futboll duken “të parëndësishme” ose “normale” për vendin dhe kohën ku jetojmë.

Maletaj Tirana-Erzeni

Por nuk është kështu! Sepse nëse bën vetëm një renditje të thjeshtë të këtyre çudirave, atëherë bilanci është shqetësues edhe për më naivët. Le t’i marrim me radhë:

1) Këtë javë u ndryshua ndeshja Vllaznia-Tirana që do të luhej në Shkodër, sepse do të mbillet bari në “Loro Boriçi”. Ata të FSHF-së e quajnë rokadë… Pra, kryendeshja e javës u spostua nga Shkodra në Tiranë se do të mbyllet stadiumi! Askush nuk pyet për tifozët.

2) Po këtë javë ndeshja Teuta-Erzeni, e programuar të luhej në Durrës do të spostohet në Rrogozhinë të hënën në orën 13:00. Pra, do të mbyllet stadiumi “Niko Dovana”. Askush nuk pyet për tifozët.

3) Ndeshjet e fundjavës që lamë pas në kampionatin kombëtar u spostuan, sepse Shqipëria do të luajë një miqësore me Katarin në Spanjë në një datë jozyrtare, më 9 nëntor. Ndeshja nuk do të transmetohet fare. Askush nuk pyet për tifozët.

4) Në javën e 11-të ndeshjet u luajtën të mërkurën dhe të enjten në orën 13:00 të drekës. Po pra, në orën 13:00, kur një i punësuar, nxënës apo student e ka të vështirë edhe t’i shohë ndeshjet nga televizori në atë orar, e jo më të blejë një biletë dhe të shkojë në stadium. Edhe Ukraina që është në luftë nuk i luan ndeshjet në mesjavë në orën 1 të drekës… Askush nuk pyet për tifozët.

5) Tirana kundër Erzenit vendosi të luante në Elbasan (dhe humbi), ndërkohë që në kryeqytet ka 3 stadiume. Askush nuk pyeti për tifozët.

6) Në “Air Albania” nuk luhet një ndeshje kampionati që prej derbit Partizani-Tirana më 2 tetor, pavarësisht se u ndërrua bari, u ndërruan llambat, dhe më pas u bë i gjithë tapeti nga e para me fushë hibride. Askush nuk pyet për tifozët.

7) Kombëtarja, që si kurrë më parë në ndeshjen e fundit u kontestua ashpër nga tifozët për paraqitjet e saj, luan dy ndeshje me Arabinë dhe Katarin ku shqiptarët jo vetëm që nuk do të kenë mundësinë ta ndjekin, por as ta shohin në TV. Askush nuk pyet për tifozët.

8) Delvina u dënua për gjithë sezonin që të mos i luajë ndeshjet në qytetin e saj pas një incidenti me arbitrin, edhe pse agresori u arrestua. Askush nuk pyet për tifozët. Kur mendon që të gjitha këto kanë ndodhur në harkun e muajit të fundit, atëherë lindin pyetjet: për kë luhet futbolli në Shqipëri? Çfarë politike është kjo? A e ka luksin ky vend i varfër që t’ia heqësh edhe ata pak tifozë nga shkallët e stadiumit?

Po klubet e futbollit dhe drejtuesit e tyre a penalizohen nga kjo situatë? Çfarë kënaqësie është të luash me stadiumin bosh? A ka në plan FSHF-ja dhe drejtuesit e klubeve se si të sigurojnë të ardhura nëpërmjet tifozëve dhe marketingut, apo plani i vetëm është rihapja e kompanive të basteve? A mban ndokush përgjegjësi që në Shqipëri ndërtohen stadiume të reja, por janë bosh?

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"