Partizani e meritoi se fitoi duelet, Tiranës nuk i eci skema me 3

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 7, 2023 | 20:10

Partizani e meritoi se fitoi duelet, Tiranës nuk i eci skema me 3

NGA AGIM CANAJ
Ishte një derbi që nuk pati shumë lojë efektive për fat të keq, por pa dyshim që më pëlqeu Partizani më shumë. Fitoi me meritë një ndeshje me shumë tension, por e bëri me vendosmëri dhe me qartësi. Dukshëm i kishin marrë masat më mirë, ndërsa Tiranës nuk i eci skema me tre qendërmbrojtës. Tirana ishte shumë e zgjatur dhe Behiraçe ka një problem serioz në këtë modul: nuk e nxjerr dot topin para…

agim canaj

PJESA E PARË – Partizani e nisi më mirë ndeshjen, sepse ishte vendosur më mirë në gjysmëfushën e vet. Preferuan t’i linin hapësirat Tiranës dhe ta ndëshkonin me fuqinë e Mbasë dhe me shpejtësinë apo teknikën e Da Silvës. Dhe i dhanë mesazhe të forta Tiranës që në start. Më pas, kur Partizani e kuptoi vështirësinë që haste Tirana për të nxjerrë topin nga mbrojtja, Partizani e shtoi presionin dhe Tirana e nisi shumë shpejt topin e gjatë. Problemi është që Behiratçe në skemën me 3 qendërmbrojtës nuk e nxjerr dot topin nga zona në atë mënyrë që të nisë aksione efikase. Jo vetëm kaq, por Tirana vuajti edhe nga krahët, sepse Përgjoni me Haxhiun praktikisht i humbën duelet me Hadrojin dhe Atanaskovksin.

Partizani e fitonte topin shumë shpejt, sepse ishte më i organizuar në fazën mbrojtëse dhe tentoi disa herë kundërsulmin duke shfrytëzuar Mbanë si një pikë referimi. Dhe ky lojtar (Mba) më pëlqeu shumë. I fortë, i qetë dhe altruist. Thjesht i duhej kohë që të bënte një paraqitje si kjo. Ai arrinte të spostohej me efikasitet edhe nga krahët, duke i dhënë mundësinë të “mbipozicionohej” dhe të fuste në panik prapavijën. Tirana u normalizua vetëm kur Shehi spostoi Lulajn në qendër dhe nxori paksa më në krah Behiraçen. Në ato 15 minutat e fundit të pjesës së parë Tirana ishte më e organizuar, por pa shpejtësinë e duhur dhe pa një sulmues me peshë që të krijonte hapësira.

PJESA E DYTË – Që të jemi të qartë vendosja ishte 3-5-2 për të dyja ekipet dhe me një modul të tillë dihet që “lufta” bëhet në mesfushë, ndërsa diferenca bëhet me krosimet nga krahët. Të dyja këto i kishte më mirë Partizani, sepse treshja e qendrës së mesfushës e fitoi duelin me treshen e Tiranës, ndërkohë që nga krahët Mba ishte shumë mirë, sepse mbante topin me forcë dhe zhvendoste skuadrën shumë përpara duke spostuar gjithë Partizanin në sulm në mënyrë të organizuar. Kjo edhe sepse Rrapaj bëri një ndeshje të shkëlqyer dhe ishte vertikal tërë kohën. Në pjesën e dytë Tirana u përpoq që të merrte masa, por Partizani ishte i vendosur mirë dhe nuk la hapësira.

Tirana më zhgënjeu shumë edhe pasi Bekaj priti penalltinë. Në të tilla raste skuadra zakonisht reagon më mirë, me më shumë grintë dhe duhej të ishte Partizani ai që do të vuante, por gabimet individuale si mosmarrëveshja Behiraçe-Bekaj solli golin e dytë, që për mendimin tim mbylli llogaritë. Më pëlqyen edhe ndërrimet, sa të guximshme, por po aq edhe të goditura të Partizanit, sepse sollën freski dhe i dhanë lojës së të kuqve atë që pritej: soliditet. Ky derbi i fituar do t’i japë zemër Partizanit, por nuk besoj se do të korrigjojë plotësisht luhatjet që ka pasur. Pse? Sepse janë skuadra jo fort të kompletuara dhe largimet e shumta e cilësore nuk mund të “kompensohen” brenda pak muajve.

Ndërkaq, Tirana nuk ka pse të dorëzohet, sepse është sërish në krye me pikë të barabarta, por edhe ajo ka një problem serioz me luhatjet, pikërisht për shkak se edhe asaj i ikin vazhdimisht lojtarët më cilësorë. Mendoj se titulli do të luhet deri në fund mes tyre, por do të triumfojë ekipi që do të lërë më pak pikë gjatë rrugës, sidomos në ndeshje “të zakonshme”, që nuk të frymëzojnë kaq sa derbi…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"