Analiza/ Juventus, të ndërrosh trajner s’do të mjaftojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2024 | 10:16

Analiza/ Juventus, të ndërrosh trajner s’do të mjaftojë

Me hapa të vegjël, milimetrikë, por Juventusi po arrin maksimumin e objektivave sezonal me lodhjen minimale. Duke luajtur shpesh shëmtuar, siç kanë pranuar vetë protagonistët, por duke pluskuar gjithmonë në sipërfaqe.

juventus

Finalja e Kupës së Italisë është vetëm pjesëza e fundit e një viti që, mes mijëra vështirësive, ëndrrave dhe zhgënjimeve, po mbërrin në muajin maj në linjë me objektivat që kishte parashtruar klubi. Dhe siç do të thoshte Maks Alegri, “kjo është gjëja më e rëndësishme”… Fakt është që nga shkurti e në vazhdim Juvja ka treguar të gjitha limitet e saj reale, ato që shkojnë përtej ideve taktike të stafit teknik, që i pëlqejnë gjithmonë e më pak tifozëve, por edhe kështu, përveç finales, “Zonja e Vjetër” është fare pranë edhe rikthimit në Champions, pa harruar se ka siguruar edhe pjesëmarrjen në Botërorin e Klubeve të vitit 2025, përveç se Superkupës së Italisë. Por përshtypja është se e gjithë kjo është fryt i një shpirti grupi dhe i shpërthimeve rastësore të individëve në momente të rëndësishme, më shumë sesa pjesë e një projekti me skadencë të largët.

Dhe ndeshja me Lacion është emblema e sezonit të Juves, duke qenë se në “Olimpiko” vërtet u pa sërish një skuadër me hendeqe të mëdha teknike, me shumë lojtarë jo të zotë, që nuk e njohin topin, që gabojnë leximet e situatave, me vizion loje të ngushë dhe mbi të gjitha që arrijnë deri aty sa të gabojnë edhe pasime elementare. Por edhe më shqetësues duket fakti se shumë prej pjesëtarëve të këtij grupi i mungon personaliteti për të veshur bluzën e klubit më të titulluar në Itali. Dhe për këtë arsye, në verë, qoftë edhe ndryshimi i trajnerit për të rikthyer Juventusin përpara të gjithëve, të paktën në Itali nuk duket se do të mjaftojë. Kush mendon se thjesht që të transferojnë skuadrën në duart e Tiago Motës mund të mjaftojë, gabohet rëndë, do të mbetet i zhgënjyer… Kjo Juve ka nevojë për një revolucion të thellë në grup dhe nuk po flasim vetëm për largimin e Aleks Sandros për të rikthyer ambiciet bardhezi. Gjithsesi, ndjesia është se Juvja nuk do të rikthehet brenda një kohe të shkurtër, siç ka bërë Xhuntoli të kuptohet. Të besosh te të rinjtë e talentuar do të thotë të kesh durim dhe të shpresoj që të godasësh në zgjedhjet e bëra, dhe nuk po flasim vetëm për ato të pankinës…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"