Analiza/ Gjysmë kalendari pa pësuar dhe zero goditje nga Leçe, Juvja ringre murin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2023 | 22:23

Analiza/ Gjysmë kalendari pa pësuar dhe zero goditje nga Leçe, Juvja ringre murin

Alegri thërret dhe senatorët e mbrojtjes nuk tradhtojnë. Arek Milik del në skenë, por përgjigjja më e rëndësishme ishte ajo e Sheznit, Danilos dhe e gjithë praparojës. Nga gabimet dhe gafat me Sausolon te rreziqet zero të së martës: Bardhezinjtë nuk pësuan as një goditje në portë.

Juventusi

Dhe gjuajtjet e puliezëve ishin vetëm dy, të dyja jashtë kuadrati: fillimisht Pongraçiç dhe më pas Krstoviç kërkuan lavdinë pa sukses. Leçe mund të mos jetë Mançester Siti i Pep Guardiolës, por në “Allianz Stadium” ata u shfaqën si të pamposhtur në kampionat dhe në pesë javët e para nuk i kishte ndodhur të mos gjenin të paktën kuadratin e portave rivale. Falë Danilos dhe shokëve të tij dhe portierit polak, protagonist me gafa në humbjen ndaj Sasuolos, u arrit edhe fitoja me Leçen.

Një sfidë brenda sfidës: fitore, tri pikë dhe pa pasuar më gola. Asnjëherë më shumë sesa të martën nuk ishte dashur një “fitore minimale” dhe ajo ka ardhur. Dëshira për të anuluar shpejt mbrëmjen e keqe në stadiumin “Mapei” ishte shumë e madhe te Juvja. Mision i kryer dhe mesazh i fortë. Si për të thënë: mbrojtësit gabuan në një ndeshje, por janë ende kampionë dhe gjithmonë një nga repartet difensive më të mira në Serinë A dhe rrethina.

MURI I RI — Alegri modifikoi pak murin që ra kundër Sasuolos, duke zëvendësuar fillimisht Gatin me Ruganin, që bëri paraqitjen e tij të parë këtë sezon. Lojtarë (pak) të ndryshëm, por mbi të gjitha vëmendja, përqendrimi dhe vendosmëria e përgjithshme ishte e ndryshme. Nëse Juventusi luftoi për një kohë të gjatë për të krijuar rreziqe për Leçen, aq sa u desh një gol i vjedhur nga Miliku në pjesën e dytë për të dalë nga bllokimi, bardhezinjtë nuk pranuan asgjë pas atij momenti.

Rugani u përshtat shumë mirë në treshen me Danilon dhe Bremerin. Dhe Shezni shmangu çdo rrezik e më shumë se në një rast ai preferoi të spastronte topin përpara në vend që të përpiqej të ndërtonte manovër. Në fund kishte vend edhe për Gatin, i cili fillimisht u mbajt në pankinë. Një mënyrë për ta mbrojtur pas autogolit ndaj Sasuolos dhe kritikave të shumta.

Ishte e qartë se Alegri donte ta mbronte. Në momentin e hedhjes në fushë, trajneri i Juventusit iu afrua lojtarit dhe i tha: “Forca Federiko, ti je i fortë, dil në fushë me qetësi”. U tha, u bë. Ekipi ruajti avantazhin dhe rrëmbeu tri pikë thelbësore për ecurinë. Dhe qetësinë. Të paktën deri të dielën kur do të kërkohet një paraqitje tjetër substance ndaj Atalantës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"