Analiza/ Festojnë vetëm tri ekipe në Kategorinë e Parë, ka “thatësi” dhe akuza për gjykimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2023 | 15:00

Analiza/ Festojnë vetëm tri ekipe në Kategorinë e Parë, ka “thatësi” dhe akuza për gjykimin

Festojnë vetëm tri ekipe në javën e 14-të. Veç Bylisit dhe Elbasanit që vazhdojnë me “avazin” e fitoreve, u bashkua edhe Flamurtari. Vlonjatët gjetën kthesën në debutimin e Dritan Resulit dhe i shtojnë shpresat vetes për misionin “Superiore”.

kategoria-e-pare-1

Kuqezinjtë ishin i vetmi ekip që përfituan disi në renditje nga kjo “xhiro” dhe tashmë e shohin veten të tretët në renditje, duke parakaluar me një pikë më shumë Apoloninë. Pjesa tjetër e renditjes nuk pësoi ndonjë lëvizje dhe kjo si rezultat i tri ndeshjeve që u mbyllën në “thatësi” të plotë. Ndeshjet e së shtunës prodhuan edhe polemika, aq sa nuk ishin të paktë trajnerët që “shfrynë” ndaj arbitrave. Përballja që prodhoi më shumë zhurmë, ishte sidomos ajo në “Elbasan Arena”. Verdheblutë fituan në të 99-ën minutë kundër Lushnjës dhe ai gol u kontestua shumë nga miqtë. Ata pretenduan se kishte faull ndaj portierit të tyre, por nuk ishte i të njëjtit mendim kryesori Ermis Çelaj. Skuadra e Nevil Dedes mendoi se e kishte në “xhep” trepikëshin, pas asaj dopiete të Bedri Grecës në 20 minuta lojë. Por ndryshe shkoi…

Verdhejeshilët barazuan me Paolo Kasmollarin dhe Xhejms Ajinden, duke e kthyer gjithçka në “thriller”. Por, vendësit sërish e gjetën zgjidhjen përtej shtesës. U bë e disata herë që ia dalin në limite, gjë që ngjau edhe këtë herë. Në Vlorë nuk fali Flamurtari, që gëzoi falë rrjetës së Aleksandre di Estefanos. I kthyer nga pezullimi që i dha ish-trajneri Emiljano Çela, braziliani bëri heroin përballë Kastriotit. Një gol në të 25-ën dhe kaq u mjaftoi kuqezinjve për të fituar terren në tabelë. Një trepikësh i vuajtur për Bylisin, që ruan “0” kolonën e humbjeve. Plot siklet triumfuan në Berat dhe në ndihmë i erdhi edhe ai i kuq që mori Erald Hyseni pas vetëm 22 minutash lojë. Një vendim që acaroi tifozët vendës dhe ndali lojën 7 minuta prej tensionit. Tomori vërtet u përpoq dhe rezistoi fort, por jo më shumë se 58 minuta.

Ervis Kasaj dha avantazhin dhe ish-i Serxhio Emini i vendosi vulën nga pika e bardhë. Çmenduri më vete ishte sfida në Luz. Besa-Apolonia ndanë pikën në thatësi. Shtylla, traversa dhe gola thuajse të falur nga ana kavajasit dhe për t’i vendosur “vulën” ishte ajo penallti e humbur nga fierakët. Burreli u bë “mur” në shtëpi, aty ku priste Vorës. Skuadra e Klodian Arbërit është shumë larg pretendimeve të fillimsezonit. E patën vërtet erën kundër, por ndonjë gjë të madhe për të marrë trepikëshin nuk është se bën. Luzi 2008 po ashtu nuk është më ai i javëve të para, por në kuptimin e mirë. Këtë herë surprizuan në Peshkopi, atje ku pakkush mund të marrë pikë. Një mbrojtje e mirëvendosur, i la pak hapësira Korabit dhe në fund skuadrat u ndanë në… paqe.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"