E mbivlerësuan BATE-n, ndoshta duhej futur Keko! Ja pse u pësua goli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 12, 2023 | 23:45

E mbivlerësuan BATE-n, ndoshta duhej futur Keko! Ja pse u pësua goli

Nga LUAN PINARI
Partizani më pëlqeu, sepse pati vetëbesim dhe i rezistoi fort një skuadre që në aspektin fizik ishte goxha në avantazh, pasi ka luajtur 13 ndeshje në kampionat. Pritej që BATE ta niste me presing të lartë dhe kjo e vuri disi në vështirësi Partizanin në minutat e para, por falë sakrificës së ekipit dhe një pune të jashtëzakonshme në mesfushë të Rrapajt me Muratajn, skuadra e mblodhi veten shpejt dhe e vendosi kundërshtarin në pozitë të vështirë.

pinari

Daljet e Carës në fillim ndihmuan ekipin që të riorganizohej dhe gjithashtu i detyruan bjellorusët që të mendonin më shumë për mbrojtjen. Nga ajo që u pa në fushë, m’u krijua bindja se Partizani e kishte vlerësuar më shumë sesa duhet BATE-n. Ata nuk ishin as më superiorë dhe as më teknikë. Përkundrazi, mendoj se Partizani në dyluftimet një për një ishte më lart. Rrapaj, Da Silva dhe Cara e vunë aq shumë në vështirësi rivalin, saqë BATE ndryshoi stilin e lojës në pjesën e dytë dhe vendosi vetëm ta priste Partizanin. Ndoshta Partizani e mbivlerësoi BATE-n…

GOLI I PËSUAR – Kjo ishte një ndeshje shumë e mirë e Partizanit, që jep shpresa për duelin e kthimit, por nuk ishte ndeshja perfekte. Pse? Sepse goli i pësuar tregoi disa mangësi që ka skuadra dhe Nga LUAN PINARI kjo është normale, duke parë ndryshimet që ka pësuar, por edhe diferencën në përgatitjet fizike. Sa i përket golit, ai erdhi për shkak se Partizani ishte shumë i zgjatur në fushë. Gabimi ndodhi kur repartet e skuadrës së Partizanit ishin shumë të shkëputur nga njëri-tjetri dhe u krijua hapësirë e rrezikshme. Mesfushorët në atë aksion duhej të ishin më afër mbrojtësve. Mirëpo kjo ndodhi, sepse ishin konsumuar shumë energji. Pas një pjese të parë të jashtëzakonshme të Rrapajt dhe Muratajt ishte e pritshme që do të binte disi ritmi në pjesën e dytë. Për fat, Partizani tregoi forcë karakteri dhe nuk e vuajti shumë golin e pësuar. Fakti që ishte zot i fushës në pjesën e parë e ndihmoi që të reagonte si duhet pas golit të pësuar, sepse e kuptoi që kundërshtari nuk kishte asgjë më shumë, përveç mesfushorit të majtë Koncevoi që bënte diferencën. Madje edhe në goditjet standarde Partizani ishte më mirë sesa BATE.

ZËVENDËSIMET – Së pari, dua të theksoj se Mba bëri një punë të shkëlqyer. Spondat e tij, forca fizike dhe tentativat e befasishme i dhanë frymëmarrje Partizanit, por e bënë mbrojtjen e BATE-s që të mos guxonte të dilte jashtë zonës, sepse edhe lëvizshmëria e Carës me Da Silvën krijonin panik. Natyrisht, me një shënjestër më të mirë sot mund të flisnim për një fitore të Partizanit, por futbolli ky është. Sa u përket zëvendësimeve, pa dashur kurrsesi që të ndërhyj në punët e trajnerit, mendoj se në ato momente do të kishte qenë më i vlefshëm Keko sesa Mensah apo Grezda. Jam i informuar që Keko gëzon një formë të shkëlqyer dhe nëse do t’i jepej rasti, do të ishte shumë i rrezikshëm. Megjithatë, e përsëris se Partizani bëri një ndeshje shumë të mirë dhe presingu i mesfushës ishte vërtet i nivelit të lartë. Në ndeshjen e kthimit mendoj se shanset janë të mëdha nëse luhet me këtë ritëm dhe me këtë mentalitet.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"