Derbi Partizani-Tirana dhe vlerësimi për tifozët në Shqipëri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2023 | 14:24

Derbi Partizani-Tirana dhe vlerësimi për tifozët në Shqipëri

Spostimi i derbit Partizani-Tirana për më 19 tetor ishte një tjetër sinjal i qartë se çfarë i pret tifozët e futbollit në Shqipëri. Sot kryeqyteti ka tre stadiume dhe në Air Albania nuk luhet një ndeshje prej datës 10 shtator, por kjo nuk mjafton që dueli më i rëndësishëm e këtij fillim sezoni të luhet normalisht.

partizani tirana tifozet

Askush nuk jep një shpjegim se përse deri tri ditë para datës së paracaktuar (26 shtator) tifozët e të dyja skuadrave nuk e dinin se ku do luhej kjo ndeshje, ndërkohë që askush nuk i shpjegoi opinionit publik se cila ishte arsyeja që derbi u shty për një muaj më pas.

FSHF është mjaftuar me pak rreshta duke thënë se ishte kërkesë e Partizanit dhe i ka larë duart me këtë çështje, a thua nuk është ajo organizatore e kampionatit kombëtar të futbollit…

Ndërkohë nga klubi kampion nuk ka ende një sqarim se përse nuk u zhvillua ndeshja e shumëpritur. Shqipëria falë Zotit nuk është një vend në luftë, nuk ka asnjë emergjencë natyrore dhe nuk ka as huliganë që kërcënojnë mbarëvajtjen e një ndeshjeje.

Përkundrazi, ambienti është i rrethuar nga një klimë sportive pozitive, për shkak të ecurisë së kombëtares, por edhe surprizave të bukura që vazhdojnë të dhurojnë Luiza Gega në Atletikë, apo Abakarov në mundje.

I vetmi problem thuhet nën zë është përkujdesi ndaj fushës në stadiumin Air Albania, sepse duhet të jetë gati për ndeshjen me Çekinë.

Nëse është vërtetë kështu, atëherë FSHF duhet të japë llogari se përse fusha që është ribërë disa herë në harkun e 3 viteve në një stadium që ka kushtuar afro 100 milionë euro nuk është në gjendje të përballojë dy ndeshje që luhen në dy javë distancë: përkatësisht më 26 shtator dhe më 12 tetor.

Situata mund të duket qesharake, por në fakt është shqetësuese për mënyrën se si trajtohen tifozët në Shqipëri, në një kampionat me shumë halle.

– Mjafton të kujtosh që FSHF shpiku një skemë të padëgjuar më parë, ku nuk është nevoja të luftosh për vendin e parë, por majfton të dalësh i katërti për të luftuar për titull. Nuk mjaftoi kundërshtia e klubeve më të mëdha, nuk mjaftoi as apeli i vazhdueshëm i kësaj gazete, as zërat e ish-futbollistëve të rëndësishëm dhe as sondazhet serioze me tifozët për të ndalur këtë marrëzi që godet m’u në zemër konceptin e një kampionati sezonal dhe shton rriskun për të na kthyer te “teatrot me mbathje” që na morën më qafë për disa sezone me radhë.

– Dy derbi të kryeqytetit në harkun e 5 javëve këtë sezon: Dinamo-Tirana dhe Dinamo-Partizani janë luajtur në Elbasan dhe pakkujt i bën përshtypje.

– Një skuadër si Erzeni vazhdon të mos luajë në qytetin e saj për të dytin sezon radhazi.

– Për të kuptuar se çfarë vlerësimi ka për tifozët në Shqipëri, mjafton të shikoni se si në orar dreke në ditë jave luhen ndeshje me tribuna pothuajse bosh, pa marrë parasysh se sa të volitshme janë për ata që duan ta shohin ndeshjen nga stadiumi dhe paguajnë për ta bërë këtë.

– Kaq shumë i duan tifozët në Shqipëri saqë pas çdo ndeshje të kombëtares rriten çmimet dhe biletat avullojnë në mënyrë misterioze (çështje për të cilën gazeta do të merret në mënyrë të detajuar në vijim).

– Është e çuditshme se si dy klubet më të mëdha, ato që duhet të diktojnë hera herës edhe rregulla të qarta loje, kanë rënë dakord ne heshtje për të mos zhvilluar derbin. Me bekimin e FSHF-së dhe me neglizhencën që karakterizon ministrinë e sporteve në kësi rastesh.

– Vezullimi i Kombëtares përdoret në mënyrë të pamëshirshme për propagandë sa herë që ajo fiton, por kjo nuk mund të verbojë klubet dhe t’i nënshtrojë ato deri në pikën që të mos luhet një ndeshje Partizani-Tirana. Nëse kanë mbërritur në këtë pikë, atëherë qartazi u intereson vetëm që të mos i prishin humorin FSHF-së dhe jo raporti me tifozët.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"