Kombëtare me personalitet, por duhen më shumë vertikalizime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2023 | 20:28

Kombëtare me personalitet, por duhen më shumë vertikalizime

Nga NEPTUN BAJKO

neptun bajko

Më pëlqeu Shqipëria. Jo vetëm për rezultatin që mori, por për lojën që zhvilloi dhe personalitetin e treguar në fushë. Kuptova forcën e ekipit tonë në 10-15 minutat e para. Skuadra pasqyroi atë që do të vinte edhe më pas gjatë 90 minutave. Pësuam gol të parët, por patëm kurajën dhe cilësinë të luftonim deri në fund dhe skuadra u shpërblye.

Nuk ishin vetëm të kujdesshëm, por më e rëndësishmja ishte bindja dhe besimi në forcat reale me veprime të shpejta për ta kapur kundërshtarin në befasi, gjë që në 2-3 raste të Asanit dhe Cikalleshit, me pak vëmendje mund të arrihej edhe shënimi i golit. Kombëtarja më pëlqeu, sepse jo vetëm luajti në bllok, në veçanti në fazën mbrojtëse, por më kryesor ishte zbatimi i detyrave në të dyja fazat e lojës. E vetmja gjë që mund të bëhej më mirë, ishte loja e mesit të fushës, që duhej të ishte më e zhdërvjellët.

VERTIKALIZIMET E MUNGUARA

Mendoj se cilësitë e lojtarëve të mesit të fushës në pjesën më të madhe nuk arritën të vertikalizonin dhe ndoshta të ishin më mirë në veprimet sulmuese. Megjithatë, duke parë që ndeshja ishte tepër delikate dhe gabimet mund të rëndonin së tepërmi, u luajt pak më ngadalë për të qenë të sigurt në veprimet e tyre. Kjo vlen për pjesën e parë.

Po, sepse në të dytën mesi i fushës është çelësi i suksesit. Dua të vë në dukje detyrat specifike të Taulant Seferit, i cili duke sakrifikuar jashtë mase, u bë një mbështetës i mirë në veprimet mbrojtëse, duke i dhënë ndihmë të jashtëzakonshme edhe mesit të fushës edhe repartit të mbrojtjes. Ekipi kombëtar ka nevojë për lojtarë të tillë, të cilët pasqyrojnë jo vetëm aftësitë e tyre, por edhe karakterin.

PROBLEMET NË PJESËN E DYTË

Shqipëria u fut në lojë me idenë për ta mbrojtur rezultatin dhe me një psikologji paksa të rënduar, vetëm e vetëm që të mos bënin gabime. Për fat të keq ky mentalitet e rëndoi skuadrën duke bërë që në veprimet mbrojtëse të luante e çorientuar.

Te rasti i dy golave, pavarësisht se u anuluan për pozicion jashtë loje, mbrojtja u kap nga paniku që çoi në rrëmujë të vendosjes dhe plotësisht të çorientuar. Ky aspekt duhet parë në të ardhmen, sepse janë momente dhe detaje që vendosin gjithë fatin e ndeshjes. Trajneri veproi në mënyrë profesionale duke e jetuar lojën në çdo moment të saj dhe duhet lavdëruar për ndërrimet që bëri në kohën e duhur me lojtarët e duhur dhe në pozicionet e duhura.

PSE NUK SHFRYTËZOJMË RASTET

Çdo trajner dhe çdo skuadër në radhë të parë do të marrë masa dhe do të punojë për të minimizuar rrezikun në portë. Që do të thotë se në aspektin sulmues shumë veprime pritej të ishin ose individuale ose kundërsulm për ta kapur ekipin kundërshtar në befasi.

Prandaj edhe në këtë aspekt veprimet sulmuese janë të nxituara, sepse u është lënë në dorë vetëm aftësive të lojtarëve si Bajrami. Ai realizoi një kryevepër dhe vetëm ashtu mund të zgjidhej ajo ndeshje, duke parë ashpërsinë dhe fizikun e çekëve, por edhe kujdesin tonë të madh në mbrojtje.

KUJDES POLONINË!

Me këtë mentalitet që po punohet në skuadrën kombëtare për të bërë atë hap të rëndësishëm, padyshim që do të luajnë në aspektin mbrojtës shumë mirë. Por, atë që e shoh si një pengesë apo diçka për t’u korrigjuar, është se në fushën tonë duhet të jemi më të kujdesshëm sesa kur luajmë jashtë. Është frika, të cilën ne si trajnerë e kemi që ekipi për të pasqyruar diçka pozitive para tifozëve të vet harron detyrat, entuziazmohet para kohe dhe kjo sjell pasoja në lojën tonë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"