Është rikthyer entuziazmi, por në sulm çalojmë shumë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2023 | 21:43

Është rikthyer entuziazmi, por në sulm çalojmë shumë

Nga NEPTUN BAJKO

neptun bajko

Në tërësinë e vet ndeshja i realizoi pritshmëritë për publikun e zjarrtë. Dominim absolut në qarkullim topi, dy gola spektakolarë dhe shumë entuziazëm.

Ishte pa dyshim një fitore e merituar, që mban gjallë shpresat për kualifikim. Pikërisht për këtë, unë vlerësoj se ky takim të kishte disa vlera të veçanta që në ecurinë e mëtejshme duhen përforcuar.

ÇFARË FUNKSIONOI

Një nga elementët që dua të përmend ishte entuziazmi. Me kënaqësi konstatoj se është një krijuar një frymë shumë pozitive dhe kjo bëri që edhe sportdashësit ta mbështesnin në maksimum ekipin kombëtar. Ky është një faktor shumë i rëndësishëm moral dhe psikologjik për një ekip si Shqipëria që kërkon europianin.

Mendoj se prej këtij entuziazmi dhe prej disa veprimeve individuale kombëtarja shkoi te fitorja. Elementi i dytë pozitiv që dua ta theksoj, pavarësisht tensionit që kishte kjo ndeshje, ishte që skuadra ruajti deri në fund kompaktësinë në fushën e lojës.

Pra pati veprime të menduara dhe të panxituara. Gjithnjë e më shpesh me Rejën skuadra nxitohej dhe gabonte me kalimin e minutave. Këtë herë jo. Natyrisht, Moldavia nuk na vuri asnjëherë në presion me sulme të rrezikshme dhe të vazhdueshme, por ama pati një bashkëpunim të mirë në lojën në bllok të të gjithë ekipit.

ÇFARË DUHET KORRIGJUAR

Gjithmonë përballë një kundërshtari të tillë unë mendoj se mënyra e lojës përcakton edhe se si do ta zgjidhësh ndeshjen. Dihej që moldavët kishin ardhur edhe për barazim… Mirëpo, lëvizjet e lojtarëve në veprimet sulmuese nuk kishin qartësinë e duhur dhe kjo është një e metë që u përsërit edhe në këtë ndeshje.

Qarkullimi i tepruar dhe mbajtja e topit nga e gjithë skuadra tregoi që ende idetë nuk janë të qarta në mënyrën se si e kërkojmë golin. Duke ditur që moldavët do të luanin vetëm në mbrojtje, unë nuk pashë ndonjë gjë specifike për ta detyruar kundërshtarin që të gabonte dhe të përfitonim ne. Pra të humbte topin, të jepte një pas gabim, apo të kishte një “offside” të pakoordinuar. Ne vërtet dominuam në përgjithësi, por shumë të lexueshëm në drejtim të portës.

Ismajli

Për këtë arsye ishte pothuajse jashtë loje Uzuni dhe deri diku Cikalleshi. Pse? Sepse nuk e kishin të qartë: do të shfrytëzoheshin daljet në krah dhe në fundore, apo do të veprohej në qendër të mbrojtjes me kombinime për të goditur portën nga distanca. U çudita, por një koordinim i tillë nuk u pa asnjëherë. Zakonisht në taktikën e lojës në futbollin modern, një mbrojtje mund të thyhet duke luajtur nga krahët, ose me pasime “trekëndësh” përballë zonës së rreptësisë për të nxjerrë lojtarin në pozicionin e duhur që të godasë portën.

Pra, e thënë thjeshtë: mënyra e lojës e pasqyruar nga veprimet e ekipit dhe lojtarëve të veçantë, nuk arriti të nxirrte në pah vlerën e Uzunit, deri diku Cikalleshit dhe Asanit. Vendosja me tre sulmues u zbeh deri diku nga mosveprimet e këtij reparti dhe mosshfrytëzimi i lojtarëve të sulmit. Ajo që duhej dhe për të cilën është vlera e këtij takimi, qe vetëm fitorja. Dhe kjo ka shumë rëndësi në këto momente. Duhet thënë që skuadra fitoi një lirshmëri dhe një mendim më të qartë në veprimet sulmuese, mbas veprimit të zgjuar dhe golit unik të Asanit.

Po, goli i tij erdhi në një moment shumë të rëndësishëm. Si trajner që jam ndeshur dikur edhe kundër Moldavisë, kam vlerësuar shumë golin e parë që shënoi Sokol Kushta. Ishte në të njëjtin pozicion, por nga krahu i kundërt si ky i Asanit. Dhe nëse do t’i jepja një notë Asanit, është mbi 8 për mendimin tim. Mirëpo, vërtet, Shqipëria me këtë lojë të mirë fitoi dhe argëtoi tifozët, por ama vendosën dy detaje tepër të rëndësishme: veprimet individuale të Asanit dhe Bajramit.

Shqiperia

Pa dyshim, meritë ka e gjithë skuadra, që nuk e diskutoi për asnjë moment triumfin, por dyshoj se pa veprimet individuale të këtyre dy futbollistëve mund të kishim arritur fitoren ndaj Moldavisë. Prandaj duhet punuar shumë më tepër me sulmin. Na presin Polonia dhe Çekia, që me gjithë respektin, por nuk janë Moldavia…

NDRYSHIMET SILVINJO-REJA

Ajo që më ra në sy është se shpirti fiton përherë dhe në pjesën e dytë skuadra tregoi karakter. Kjo është një bazë e mirë për të ardhmen. Po çfarë ka ndryshuar me Silvinjon? Sipas meje kanë ndryshuar këto gjëra: – Së pari, është rreshtimi me katër mbrojtës.

Tani kemi një “playmaker”, që është Bajrami dhe i mbështetur nga Ramadani. Por roli i Bajramit ishte shumë specifik, sepse me topin në zotërim duhej të shikonte edhe ku duhet ta dërgonte pasimin. – Së dyti, duhej të merrte pjesë edhe vetë më shpesh në tentativat jashtë zonës, sepse kur e bëri këtë arriti të shënonte. Ndërsa në kompleks, në manovrën sulmuese nuk shoh ndonjë progres. Kemi nevojë për ide, për shpejtësi manovre dhe shpejtësi mendimi.

Për lojtari që kapin fundoren dhe për kombinime shumë më të shpejta afër zonës së kundërshtarit. Ndërkaq, shpresoj shumë që Silvinjo të bëjë kujdes me Asllanin, Brojën, Kumbullën dhe Balliun. Janë lojtarë që duhet t’u gjejë vendin, sepse janë boshti i së ardhmes. Puna sapo ka filluar për t’u organizuar më mirë. Duhet t’u gjejë vendin këtyre lojtarëve që luajnë në nivele të larta, sepse edhe ndeshjet e ardhshme nuk do të jenë si me Moldavinë…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"