Asllani është unik, ja pse më befasoi Silvinjo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 21, 2023 | 20:14

Asllani është unik, ja pse më befasoi Silvinjo

Nga NEPTUN BAJKO

neptun bajko

Pjesa e parë m’u duk si një ndeshje miqësore, sepse nuk kishte dyluftime dhe nuk kishte lojë agresive. Skuadra kundërshtare luante tepër e hapur, sidomos në mbrojtje. Shpeshherë lojtarët tanë me shumë lirshmëri penetronin dhe shënuan edhe golin e parë.

Mirëpo më bëri përshtypje që Ishujt Faroe aplikonin me sukses goditjet standarde, ndërsa ne jo. Jo vetëm që nuk i shfrytëzojmë mirë goditjet standarde aq të rëndësishme në futbollin modern, por edhe rrezikojmë shumë, sepse nuk jemi të qartë dhe agresivë mjaftueshëm në luftën në ajër. E megjithatë, kjo ishte një fitore e bukur, sepse shënuam 3 gola spektakolarë, por edhe shpërdoruam shumë.

ÇFARË SHKOI MIRË

Rezultati pa diskutim dhe mënyra se si luan Kombëtarja jonë. Por mua mbi të gjitha më pëlqeu mentaliteti me të cilin kishin hyrë në fushë lojtarët. Skuadra jonë kishte hyrë me një bindje dhe mendonte që në këtë ndeshje do ta fitonte me çdo kusht dhe ia doli. Është shumë i rëndësishëm ai mendim dhe ajo bindje që kishin në kokë.

Duke marrë në konsideratë hapësirat dhe që lanë ishullorët, ranë në sy edhe kombinimet në veprimet sulmuese të skuadrës sonë, të cilat nuk u panë me Moldavinë. Pashë pasime vertikale, dalje në fundore dhe futjen e topit në qendër të zonës. Të gjitha këto u bënë me veprime të shpejta duke arritur të depërtonin nëpërmjet pasimeve të sakta në mbrojtjen kundërshtare. Por duhet ta themi se në këtë ka një meritë edhe mesfusha…

ASLLANI ËSHTË SPECIAL

Asllani është lojtar me cilësi krejt të veçanta. Ka më të shpejtë mendimin me topin sesa lëvizjet në fushë. Dhe kjo e bën atë një lojtar të rrallë. Përveç kësaj, ai ka edhe elementë të tjerë të admirueshëm: pasimin e gjatë dhe tepër të saktë. Kështu, ai jo vetëm e ndryshon shpejt krahun e lojës, por nxjerr shpeshherë mbrojtjen rivale jashtë funksionit.

asllani hysaj kombetarja

Dhe e dyta, Asllani ka një goditje që mund të bëhet nga më të mirët në ekzekutimin e faulleve dhe të goditjeve jashtë 16-shes. Goli i Asllanit ishte qershia mbi tortë e kësaj mbrëmjeje, pavarësisht se edhe dy të tjerët ishin mbresëlënës.

ÇFARË NUK MË PËLQEU

Nuk më pëlqeu goli i barazimit. Skuadra ishte shumë e ndrojtur. Ndjenë më shumë se duhet përgjegjësinë në atë moment. Nuk më pëlqeu fakti që rivalët kishin goditjet nga ajri pikën e fortë, por mbrojtja jonë gaboi 3-4 herë që mund të ishin edhe fatale. Nëse me Moldavinë ne e quajtëm pozitive paraqitjen e mbrojtjes, në këtë ndeshje duhen parë koordinimet e lojtarëve të prapavijës. Kundër Ishujve Faroe ishin mesi i fushës dhe sulmi në ditën më të mira. Shfrytëzuan me mençuri hapësirat dhe lojën.

MUÇI DHE MEHMETI

Atë që nuk e bëri Mehmeti kur pati rastin, e realizoi Muçi. Aksion personal i shkëlqyer, kombinim mjeshtëror me Uzunin dhe një gol që vulosi gjithçka. Po Mehmeti? Ai ka shumë talent, por që në krye të herës i është tërhequr vëmendja se shumë egoist.

muci kombetarja

Dakord, e kuptojmë që e ka stil loje, por duhet edhe të pasojë. Të lëshosh topin nga këmba nuk është sakrifica më e madhe në botë… Kam përshtypjen se do t’i duhet shumë kohë që të reflektojë.

BRAVO SILVINJO

Në këtë ndeshje jam dakord 100 për qind me Silvinjon. Në gjithçka. Madje të jem i sinqertë mendova se e teproi duke lënë Uzunin në stol, por Seferi më pëlqeu shumë. Ishte shumë aktiv dhe sakrifikoi pamasë, duke i bërë mirë të dyja fazat: sulm dhe mbrojtje.

Edhe për Baren u befasova disi, por ndeshja i dha të drejtë trajnerit dhe në këtë pikë, përveçse të shohë disa luhatje në mbrojtje, nuk mundet t’i themi asgjë më shumë. Shqipëria është në rrugën e duhur për të bërë gjëra të mëdha, sepse edhe Moldavia na dhuroi një tjetër surprizë që na vlen shumë. Mirëpo duhet kujdes dhe vendosmëri, sepse me gjithë respektin për Ishujt Faroe, kundër Polonisë dhe Çekisë do të jetë tjetër “muzikë”…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"